Qytetarët dhe bizneset nuk po arrijnë të paguajnë në kohë kreditë e tyre. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se niveli i atyre që njihen si “kredi të këqija” arriti në 5,3% të totalit të huave që bankat kanë dhënë. Ky është niveli më i lartë i këtij viti.
Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë, shprehet kështu për A2 CNN: “Kjo lidhet drejtpërdrejtë me uljen e aftësisë paguese të individëve dhe bizneset. Faktori kryesor te individët janë të ardhurat e pamjaftueshme, ndërsa për biznesin inflacioni dhe vështirësitë e tjera në likuiditet”.
Ndikuar edhe nga zgjerimi i portofolit të kredive të këqija, Banka Qendrore ka përgatitur një rregullore të re për kushtet e kredidhënies. Baza e re detyron bankat e nivelit të dytë të forcojnë kushtet në drejtim të dhënies së kredive.
Teuta Nunaj thekson: “Kjo ishte e pritshme, pasi me këtë ecuri rrezikohet të kemi cenim të stabilitetit financiar. Bankat nuk duhet të jenë kaq shumë të gatshme kur japin kredi, pa skanuar të ardhurat e atij që e kërkon atë”.