Shumë të vrarë, mijëra të plagosur e dhjetëra të marrë peng nga shtetasit izraelitë. Por, cili është realiteti tjetër i kësaj situate kaotike në Rripin e Gazës?
Është një luftë mes Izraelit dhe Hamasit, por palestinezët ashtu si civilët e tjerë të Izraelit s’kanë asnjë faj për tensionin mes palëve. Njëra palë kërkon kontrollin e plotë të tokave palestineze me çdo mënyrë, e tjetra synon hakmarrjen duke marrë njerëz rob e duke derdhur gjak.
Izraeli ka nisur një valë sulmesh ajrore dhe ka vendosur një “rrethim të plotë” në Rripin e Gazës, duke ndërprerë energjinë elektrike, ushqimin, ujin dhe gazin për 2.3 milionë banorë, shumica e të cilëve janë palestinezë.
Nga ana tjetër, Hamasi ka paralajmëruar se do fillojë të transmetojë video të ekzekutimit të pengjeve nëse Izraeli merret me ‘civilët e pafajshëm’.
Qytetarët e Rripit të Gazës gjenden në mes të gjithë kësaj, krejtësisht të pashpresë.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se kanë goditur 130 objektiva në Gaza brenda tre orëve dje në mëngjes. Forcat ushtarake të vendit janë në gatishmëri lufte pas sulmit me raketa, duke dërguar rreth një mijë trupa në Gaza.
Teksa në mediat ndërkombëtare thuhet se në total janë vrarë mbi 1500 persona, ende nuk ka një ndarje të saktë se sa prej tyre janë izraelitë e sa palestinezë.
Autoritetet palestineze thonë se janë vrarë 560 nga njerëzit e tyre. Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga viti 2008, janë vrarë 6400 palestinezë nga bombardimet dhe 300 izraelitë, kjo pa llogaritur viktimat e fundit.
Qindra apartamente dhe shtëpi janë shkatërruar në Rripin e Gazës, duke përfshirë kampet e refugjatëve, duke lënë më shumë se 123,000 njerëz të pastrehë. Më shumë se 73 mijë të tjerë janë strehuar në shkolla, ndërsa spitalet nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të shëruar të plagosurit. Spitali kryesor i Gazës, Spitali Beit Hanoun, është dëmtuar dhe tani është jashtë shërbimit pasi forcat izraelite kanë shënjestruar vazhdimisht zonën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Një qendër kryesore komunikimi në Gaza është shkatërruar gjithashtu nga sulmet ajrore, duke e bërë të vështirë aksesin në internet ose kryerjen e telefonatave.
Ndryshe nga Izraeli, Rripi i Gazës nuk ka sirena sulmi ajror apo vende për t’u strehuar prej bombardimeve.
“Spitalet janë të mbipopulluara me njerëz të plagosur, ka mungesë të barnave dhe furnizimeve mjekësore dhe mungesë karburanti për gjeneratorë. Ambulancat nuk mund të përdoren”, thonë burime për mediat e huaja.
Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se të gjitha ushqimet, karburantet, energjia elektrike dhe nevojat e tjera do të jenë të bllokuara për Rripin e Gazës.
Kjo është beteja më e fundit në konfliktin e gjatë Izrael-Palestinë të nxitur nga mosmarrëveshjet shekullore mbi tokat, duke përfshirë pushtimin izraelit të territoreve palestineze të Jeruzalemit Lindor, Bregut Perëndimor dhe Gazës në vitet 1960 dhe marrjen e Palestinës nga Hamasi në vitet 2000 që çoi në një bllokadë të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti fqinjë në 2007.
Organizatat e të drejtave të njeriut janë të shqetësuara se kjo situatë do përkeqësojë krizën humanitare në territoret palestineze.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 81% e popullsisë në Gaza jeton në varfëri. Ata kanë mungesa në ushqim, ujë të pastër dhe energji elektrike.
/a.r