Policia e Krujës ka arrestuar një 49-vjeçar, pasi iu gjetën në banesë pistoletë, municion luftarak, përforcues grushti dhe mjete prerëse (thika).
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfundoi shtetasi me inicialet A. Xh., banues në Bubq.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet, nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “In time”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Iu gjetën armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, përforcues grushti dhe mjete prerëse (thika), në banesë, arrestohet në flagrancë 49-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri dhe armë të ftohta në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “In time”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Xh., 49 vjeç, banues në Bubq, Fushë Krujë.
Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak, një përforcues grushti dhe dy mjete prerëse. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./f.s