Përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërrijnë sot në Tiranë për të diskutuar për zhvillimet ekonomike në vend, por edhe në ndërhyrjet që mund të realizohen në paketën fiskale për vitin 2017.
Misioni i FMN-së pritet të takohet me drejtuesit më të lartë të institucioneve financiare në vend të të cilëve siç është bërë me dije do t’i shprehin rezervat në lidhje heqjen e disa taksave. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar pritet të mbërrijë sot në Tiranë.
Mësohet se në vëmendje të përfaqësuesve të Fondit do të jenë zhvillimet ekonomiko-financiare, por edhe hartimi i paketës fiskale për vitin 2017.
Përfaqësuesi i FMN në Shqipëri, Jens Reinke, në një intervistë për Ora News ka bërë me dije se ky mision pritet t’i kërkojë qeverisë heqjen e çdo përjashtimi taksash të bërë deri tani për sektorë të caktuar, siç është rasti i heqjes së taksave për biznesin e vogël apo edhe tarifat zero për shumë produkte.
Përfaqësuesit e një prej institucioneve më të rëndësishme financiare në botë do të qëndrojë në Shqipëri, për rreth 2 jave.
Ndër të tjera diskutimet me drejtuesit shqiptarë do të fokusohen edhe në pritshmerinë ekonomike për të ardhmen, nevoja për ndryshime në politikat si dhe parashikimet afatmesme për ekonominë.
Misioni i FMN-së do të zhvillojë takime me Ministrin e ri të Financave, Arben Ahmetaj, me Guvernatorin Gent Sejko.
Kjo vizitë e FMN-së në Tiranë vjen pas miratimit të dy kësteve të kredisë për Shqipërinë me vlerë totale 72.4 milionë euro.
Programi parashikon një mbështetje financiare prej rreth 330.9 milion euro në kohën e nënshkrimit dy vjet më parë, lëvrimi i së cilës është i ndarë në 9 këste.