Ylber Ramadani ka dalë në konferencë për shtyp nga rezidenca e kombëtares, e cila ka nisur qysh dje përgatitjet për dy sfidat e tetorit.
E para është tepër e rëndësishme, sepse vlen kualifikimin në “Euro 2024”, nëse kalohet me sukses Republika e Çekisë më 12 tetor në “Arena Kombëtare”.
E dyta është miqësore ndaj Bullgarisë, po në “Arena Kombëtare”, më 17 tetor.
Mesfushori i Lecce në Serie A bëri këtë prognozë për për duelin vendimtar ndaj Republikës Çeke:
“Nëse arrijmë Europianin është një gjë e madhe për kombëtaren, për mua dhe familjen time. Po bëj mirë edhe në Itali.
Kemi ardhur me mentalitetin e duhur në këtë grumbullim, është ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari që ka pësuar vetëm dy gola. Duhet të futemi në fushë pa eufori dhe të marrin rezultat pozitiv. Ndeshja në shtëpi është më ndryshe, kemi tifozët që do ta na përkrahin. Do të futemi për të fituar.
Kam qenë i fokusuar edhe me Lecce sepse na duhen pikët, pastaj vëmendja kaloi te kombëtarja. Serie A është një hap i madh për mua, është kampionati i dytë më i fortë. Dua të jap maksimumin, shpresoj që të bëj më të mirën edhe për ndeshjen me Çekinë.
Në Serie A do t’i merrja të gjithë lojtarët e kombëtares. Kemi edhe tri finale, do të kërkojmë masksimumin, e dimë çfarë na pret. Llogaritë do të bëhen pas Çekisë, sepse janë ndeshje të rëndësishme edhe ato që mbeten.
Çdo ndeshje ka presion, por jemi profesionistë. Duhet të jemi me mentalitetin e duhur dhe të përqendruar maksimalisht. Çekët janë në vendin e dytë dhe të fortë fizikisht, janë treguar më të fortë se Polonia.
Interesim i lartë nga tifozët? Shpresoj të mos i zhgënjejmë, dua t’i falenderoj. Duhet t’ua kthejmë mbështetjen me fitore në fushën e blertë. Për tifozët kam një lutje që të mos hedhin sende në fushë. Ata na duhen edhe për ndeshjet e radhës, i duam gjithmonë përkrah, ndaj të mos i humbasim nga të tilla episode”.
/a.r