Nga Artur Ajazi
E vërteta është se, deri sot SPAK-u, është e vetmja strukturë e drejtësisë së re, e cila po përballet dhe po ndëshkon ashpër korrupsionin e trashur në Shqipëri. Ka vite që themi, që diskutohet, dhe kërkohet me të madhe nga shqiptarët “korrupsioni është në çdo institucion dhe zyrë shteti”, madje duke ngritur dhe drejtuar gishtin nga emra të spikatur të politikës dhe drejtuesve të lartë. Ka vite që shqiptarët kërkojnë të bëhet drejtësi dhe të shkojnë para ligjit zyrtarët e korruptuar, ministrat dhe ish-ministrat, ish-deputetët dhe ata që kanë në “dorë” paratë e investimeve, konçesioneve, apo dhe asete të tjera që kanë të bëjnë me zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetarëve.
Mbi 12 mijë denoncime kanë mbërritur deri sot në SPAK në një hark kohor prej 1 viti e gjysëm. Denoncimet kanë të bëjnë me akuza të drejtpërdrejta nga qytetarë dhe struktura kontrolluese të shtetit mbi zyrtarë të shtetit, ish-zyrtarë të pushtetit të dikurshëm, drejtues, shefa dhe deri bishtat e tyre. Korrupsioni në Shqipëri ka qenë dhe mbetet “epidemi” e madhe, e cila kërkon jo vetëm angazhimin e strukturave hetimore dhe gjyqsore. Sikur të mos ishte krijuar nga SHBA, struktura aq e dëshirueshme SPAK, çfarë do të kishim sot?
Natyrisht do të kishim ende në liri ish-ministra dhe ish-zv.kryeministra, ish-deputetë dhe drejtues të molepsur në afera korruptive, duke i shkaktuar shtetit dhe buxhetit të tij, humbje në miliona euro. Edi Rama mbetet i vetmi kryeministër në Shqipëri, që ka përkrahur dhe po përkrah fuqishëm SPAK-un, grupin e prokurorëve që punojnë atje, duke larguar pa asnjë mëdyshje çdo emër dhe funksionar që rezulton i lidhur me afera korruptive dhe kriminale. SPAK-u, tanimë e ka krijuar fizionominë e vet, e ka krijuar emrin dhe famën e vet, me punë dhe rezultate konkrete.
Dosjet e “nxehta” të korrupsionit dhe krimit, trafikut dhe kontrabandës, gjenden sot në duart e prokurorëve të guximshëm dhe të besueshëm të SPAK-ut. Kjo strukturë “piano-piano” po zbret edhe në nivele të dyta të institucioneve të shtetit. Lufta ndaj korrupsionit po bëhet e egër, ballore dhe e pakompromisë, pasi në çdo arrestim që SPAK-u bën, të zyrtarëve të lartë apo personave me imunitet politik, rezultojnë lidhje të hershme me rrjete të krimit.
Së fundi, zbritja e SPAK-ut në “bazë”, dhe arrestimi i krerëve të disa bashkive , tregon seriozitetin e punës dhe misionit të kësaj strukture të re të drejtësisë.Duke njohur vizionin e kryeministri Edi Rama mbi funksionimin e drejtësisë së re, mendoj se shumë shpejt do të kemi rezultate befasuese të shumë proceseve hetimore të SPAK-ut, që më së shumti lidhen me goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.