Behgjet Pacolli ka thënë se në vitin 2013 është lëshuar shansi më i mirë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Vetëm kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i di shkaqet pse humbi ky shans, ka thënë kreu i AKR-së në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“… lexova se Ministri i Mbrojtjes, z. Demolli kishte deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës do të formohen atëherë kur të krijohen kushtet politike. Ministri Demolli ka shumë të drejtë dhe unë kësaj deklarate i shtoj edhe faktin se në këtë konstalacion politik, këto kushte nuk do të plotësohen”, shkruan Pacolli. Pacolli thotë se ka pasur një takim me ambasadorin e atëhershëm të SHBA-së dhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë lidhur me këtë çështje.
“Kryeministri i Kosovës e di shumë mirë sa herë jemi takuar në vitin 2013 me Ambasadorin e SHBA-së dhe përfaqësuesin e BE-së, për këtë çështje, çfarë kemi biseduar dhe çfarë shansi u lëshua në vitin 2013. Shkaqet pse humbi ky shans, i di vetëm Kryeministri”, thuhet në fund.