Në ditën e dytë të luftimeve në Izrael dhe situatës së rrezikshme të krijuar, për shqiptarët që jetojnë atje ose ndodhen për arsye të tjera dhe kërkojnë të largohen, Ministria jonë e Jashtme u kërkon që të lidhen me autoritetet shqiptare përmes këtij numri telefoni dhe kësaj adrese në e-mail.
Thirrja për të komunikuar drejpërdrejt me telefon përmes aplikacionit what’s app apo me e-mail është edhe për shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Në mesazhin video të shpërndarë nga Ministria e Jashtme, ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe u garanton se aeroporti ndërkombëtar i “Ben Gurion” në Tel Aviv është i hapur.
MERI KUMBE
AMBASADORE E SHQIPERISE NE IZRAEL
Prej 48 orësh, kam qenë në kontakt me Ministrin e Evropës dhe Punët e Jashtme z. Hasani dhe përmes Ministrisë dhe stafit të ambasadës jemi në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi. Vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.
Për arsye sigurie, nga Ministria e Jashtme, këshillohet anullim të udhëtimeve drejt Izraelit nga qytetarë shqiptarë që mund të kenë planifikuar për arsye të ndryshme.
Gjatë natës, forcat izraelite vazhduan sulmet ndaj Gazës, duke shkatërruar një seri objektivash të lidhur me Hamasin. Izraeli mësohet se ka ndërprerë furnizimet me energji dhe karburant për në Gaza.
Ndërkohë, bilanci i fundit i viktimave, sipas mediave izraelite, flet për izraelitë 250 të vrarë dhe 1.590 të plagosur; si dhe 230 palestinezë të vdekur.
/a.d