Në amfiteatrin e Fondacionit Konrad Adenauer të hënën në Berlin është prezantuar filmin Kosovaro-Gjerman “Babai” nga Visar Morina. Ky prezantim u mundësua me bashkëpunim mes Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Fondacionit Konrad Adenauer, njofton Ambasada e Kosovës në Berlin, transmeton Koha.net.
Ky aktivitet kulturor i Ambasadës së Kosovës në Berlin që ka arritur të jetë një ndër organizimet më prestigjioze në kuadër të “Radhës javore të filmit” në Berlin, është mundësuar pas angazhimit tës Sekretares së Parë, Shota Bukoshi, e ngarkuar për çështje kulturore. Hapjen e këtij aktiviteti e bëri koordinatorja e Akademisë së Fonacionit Konrad Adenauer Rita Schorpp, e cila shprehu kënaqësinë për prezantimin e një filmi nga Kosova dhe për bashkëpunimin me Ambasadën e Kosovës në Berlin. Ndërsa fjalën e rastit e mori Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu.
Ai theksoi llojllojshmërinë e Kosovës dhe sidomos atë të kulturës. “Vendi jonë ka rritur falë angazhimit të filmbërësit të pozicionohet në skenën e filmit ndërkombëtar. Nuk mund ta mohoj krenarinë qe e kam për filmat e Kosovës të cilit janë shpërblyer edhe në festivale ndërkombëtare”, ka deklaruar ambasadori Xhakaliu. Filmi “Babai”, ka qenë propozimi i Kosovës në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në “Oscars” për vitin 2015.
Pas shfaqjes së filmit, i cili u prit me ovacione, regjisori Visar Morina së bashku me dy protagonistët kryesorë në film, Astrit Kabashi që luan rolin e babait dhe Val Maloku, i cili ka rolin e të birit biseduan me redaktorin e seksionit të filmit të gazetës së mirënjohur gjermane “Die Welt”, Hanns-Georg Rodek. Gjatë bashkëbisedimit, Morina ceku rëndësinë e këtij filmi që pasqyron aspektin njerëzor. Më tutje ai tha se “filmi tregon dhunën nga regjimi serb në mënyrë indirekte, ndërsa dhunën direkt në marrëdhëniet ndër njerëzore”. Kurse aktori Astrit Kabashi i pyetur për kujtimet e tij të periudhës së 90-tave tha, se “nuk i uroj askujt të jetoj në atë kohë. Një kohë e definuar nga frika”.
Në vazhdim shikuesit kishin mundësinë të shtronin pyetje të drejtpërdrejta, çka edhe e pasuroj këtë mbrëmje. Shikuesit treguan një entuziazëm të veçantë për regjisorin dhe aktorët i cili rezultojë me kërkesë të madhe për autografe. Mbrëmja u kurorëzua nga një koktej rasti, në të cilin ishin të pranishëm personalitete të shquara nga jeta politike, diplomatike dhe kulturore e kryeqytetit gjerman.
Të pranishëm ishin ndër tjerët edhe i ngarkuar i Ministrisë së Jashtme Gjermane për Ballkanin Perëndimor, Ernst Reichel, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku dhe Isabelle Tanghe nga Komisioni Evropian. Ftesës i janë përgjigjur një numër i madh dashamires të filmit dhe njëkohësisht të Kosovës, madje interesimi e kishte tejkaluar kapacitetin e objektit.