Organet e rendit në Herceg Novi të Malit të Zi njoftuan se kanë ndalur një 48-vjeçar nga Kosova me inicialet (I.B.) i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile.
“Ky person kërkohet nga Interpoli dhe UNMIK-u në bazë të një procedure penale të ngritur kundër tij nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.
Gjykata e Lartë e Podgoricës bëri të ditur se ka caktuar masën e paraburgimit me qëllim ekstradimi të individit në fjalë. Ditë më parë, në qytetin e Bjelo Poles në veri të Malit të Zi u arrestua një i dyshuar tjetër për krime lufte kundër popullsisë civile në territorin e komunës së Pejës në vitin 1999. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit me qëllim ekstradimi.
Mali i Zi thotë se do të njoftojë organet përkatëse të Kosovës për rastin në fjalë dhe presin dokumentacionin përkatës për ekstradimin e të dyshuarit.
Analistët malazezë thonë se policia e Kosovës e ka thelluar edhe më tej bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve të rajonit, dhe me organizatat ndërkombëtare të sigurisë, me qëllim arrestimin e personave të kërkuar dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
Ndërkaq, përfaqësuesit e partisë pro-serbe dhe pro-ruse në Malin e Zi, ish Fronti Demokratik, i bënë thirrje qeverisë teknike të Kryeministrit Dritan Abazoviç që të mos marrë pjesë në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga Kosova, sepse siç thanë ata, “kjo do të destabilizojë edhe më tej situatën politike në vend”. Kjo parti tha se, “gjatë shtatë ditëve të fundit, në bazë të kërkesës së Prishtinës, dy serbë të zhvendosur në Mal të Zi, Zhivko Vuksanoviq dhe Momçilo Bulatoviq, u arrestuan nën dyshimet për krime lufte pas dy dekadash e gjysmë”.
Në dhjetor të vitit 2019 gjykata e Podgoricës e denoi shtetasin malazez, Vlado Zmajeviç me 14 vjet burgim pasi u gjet fajtor për krime lufte kundër civilëve. Zmajeviq, ish-vullnetar dhe pjesëtar i ushtrisë jugosllave është dënuar për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit në vitin 1999.
Rreth 13,500 njerëz u vranë gjatë masakrës serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 ndërsa më shumë se 1,600 persona ende figurojnë të pagjetur.
/a.d