Situata kriminale në Elbasan vitet e fundit duket më e stabilizuar dhe për këtë prokurori Ajazi thotë se kanë ndikuar disa faktorë, nga arrestimi i disa personave me rrezikshmëri të lartë, goditja e disa grupeve kriminale, dënimi i disa prej tyre e të tjerë që janë larguar jashtë vendit e shpallur në kërkim.
Në një intervistë për ABC News me gazetaren Etleva Delia për emisionin ‘Gjërat tona’, Ajazi flet edhe mbi operacionet e të shumëkërkuarëve, mes tyre edhe Talo Çela.
Pjesë nga intervista:
Elbasani është konsideruar si një rreth problematik, ka një periudhë që duket se ka rënë qetësi. Si paraqitet sot, situata kriminale në Elbasan?
Në tërësi gjendja e kriminalitetit në Elbasan nuk ka qenë shumë e ndryshme në krahasim me situatën e kriminalitetit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pra, ngjarje të rënda dhe situata me forma të caktuara të grupeve kriminale ka në cdo qendër të madhe urbane në Shqipëri. Në bashkëpunim me policinë e shtetit, jemi fokusuar në disa drejtime prioritare të punës tonë, duke u fokusuar kryesisht në hetimin dhe në dëshirën për të patur rezultate konkrete kryesisht sa i përket krimeve të rënda. Sigurisht paraqiten forma shqetësuese që lidhen me shitjen e narkotikëve, kemi patur rezultate domethënëse gjatë këtij viti. Ky tip kriminaliteti ka marrë përgjigje serioze. Forma të tjera janë ato që hasen më shpesh, mbetet shqetësues dhuna në familje, vjedhjet, apo edhe veprat penale që lidhen me sigurinë në rrugë.
Nga 5 më të kërkuarit, sot për sot në Shqipëri, tre prej tyre duke përfshirë këtu edhe Laert Haxhinë i përkasin Elbasanit, por ka patur edhe një goditje të kontigjenteve kriminale, mbase kjo ka arritur të qetësojë disi situatën?
Organet e ndjekjes penale, kanë përgjegjësinë e tyre në hetimin dhe më pas në gjykimin e veprave penale. Pjesa e kërkimit është nën përgjegjësinë e Policisë së Shtetit. Për aq sa është kërkuar apo vlerësuar e nevojshme, nga ana jonë në të gjitha rastet që është kërkuar, janë aplikuar metoda speciale me qëllim kapjen e tyre, brenda kufijve që lejon ligji, procesi i kërkimit është kompleks. Një pjesë janë persona në kërkim për llogari të prokurorisë së Elbasanit, një pjesë janë për llogari të prokurorive të tjera përfshi edhe SPAK. Dhe në dijeninë time, janë zhvilluar dhe zhvillohen veprime operacionale, ndërmerren hapa konkret, në funksion të kapjes së personave në kërkim. Veprimtaria i është vështirësuar, dhe rrjedhimisht sjell një situatë me të favorshme.
Njerëz të drejtësisë në shenjestër të krimit të organizuar, kryeprokurori i Elbasanit flet pas dëshmive të Tafanit
Nëse do të hetojë prokuroria e Elbasanit apo SPAK, të arrestuarit e operacionit ‘Never forget’, do të jenë veprimet hetimore që do ta përcaktojnë.
Kështu u shpreh në një interevistë për ABC News, kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi. Ndër të tjera Ajazi flet edhe për planet e krimit të organizuar për të vrarë dy prokuroret, plane të cilat dolën në dritë pas dëshmive të Artan Tafanit.
Do vijoni ta hetoni ju apo SPAK?
Hetimi dhe gjykimi I formave të krimit të organizuar është në kompetencën e Prokurorisë së Posacme, unë nuk mund ta them sepse kjo është edhe cështje e konkludimit të veprimeve hetimore, nëse është krim i organizuar apo jo dhe nëse është cilës formë i takon, por gjithësesi kemi qenë dhe jemi në komunikim me prokurorinë e Posacme dhe besoj do arrijmë në një konkluzion mbi këtë rrethanë. Gjithësësi nëse kemi të bëjmë me krim të organizuar është edhe cështje e kualifikimit ligjor dhe nëse do të arrijmë në dicka të tillë, kjo formë kondicionon më pas edhe komptencën, sipas përcaktimeve që jep kodi I procedurës penale.
Tafani ka dhënë informacione në lidhje me prokurorë që do goditeshin, madje edhe do vriteshin. Elbasani, ka numrin më të lartë të prokurorëve të prokurorëve që janë të mbrojtur pse ka ndodhur kjo?
Mbrojtja e prokurorëve është në kopentecën e komisionit të mbrojtjes së prokurorëve që është një ndër komisionet që funksionon dhe vepron Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Është një komision që përbëhet nga përfaqësues, të mininistrisë së brendshme, drejtorisë së përgjithshme të policisë, prokurorisë, ministrisë së drejtëisë. Është një komision, i cili funksionon mbi bazën e kërkesës subjekteve që parashikon ligji dhe vendimmarrja nëse një prokuror duhet mbrojtur apo jo, i takon këtij komisioni pasi shqyrton jo vetëm kërkesën, por edhe të dhënat dhe informacionet që merren agjencitë ligjzbatuese, policore, apo agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Komisioni del me një vendim të arsyetuar ku parashikohen jo vetëm niveli i rrezikshmërisë, por edhe subjektet që rrezikohen dhe arsyet pse rrezikon ky rrisk. Mbi bazën e informacioneve të administruara në rrugë ligjore, mbi bazën e tyre merret edhe vendimi. Rastet kanë qenë të ndryshme, për shkaqe të ndryshme, prokurorët janë mbrojtur për shkak të detyrës, dhe jo për shkaqe personale/m.j