Urdhri i Stomatologëve ka reaguar për vdekjen e vogëlushit 3-vjeçar, pas ndërhyrjes për rregullimin e dhëmbëve në një klinikë private në Tiranë.
Në një postim në faqen zyrtare, Urdhri i Stomatologëve bën me dije se sot ata e kanë shpallur ditë zie kombëtare, ndërsa theksohet se pavarësisht përpjekjeve të shumta nuk kanë mundur dot të lidhen me doktor Roland Xhaxhon dhe klinikën e tij.
Urdhri i Stomatologëve i ka bërë gjithashtu apel Ministrisë së Shëndetësisë dhe Prokurorisë që të dalin sa më parë në një prononcim për publikun.
Reagimi zyrtar i Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë për mediat dhe opinionin publik:
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmëve të vogëlushit të ndjerë, Brian Spahiu!
Stomatologjia shqiptare sot ka shpallur ditë zie dhe lutjesh për Brianin e vogël.
Opinioni paraprak i USSH është se:
– Duhet një prononcim i stomatologut që ka kryer mjekimin e dhëmbëve të vogëlushit;
– Të intervistohet nga gazetarët dhe mediat stomatologu kompetent, i cili ka percaktuar protokollin e mjekimit të vogëlushit të ndjerë dhe ka kryer mjekimin dentar;
– Ministria e Shëndetësisë dhe Prokuroria duhet të prononcohen publikisht, në një kohë sa më të shpejtë të mundëshme.
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë nuk ka asnjë informacion nga stomatologu ose klinika përgjegjëse për trajtimin e vogëlushit edhe pasi janë bërë përpjekje maksimale për t’i kontaktuar(askush nuk përgjigjet në numrat e tyre të telefonit)./f.s