Numri i azilkërkuesve shqiptarë në 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian arriti në 67,740 vetë në vitin 2015. Kjo është e barabartë me 2.4 për qind të të gjithë popullsisë aktualisht rezidente në vendin tonë. Numri i të larguarve nga Shqipëria mendohet se është edhe më i madh se sa kaq, për shkak se përveç azilkërkuesve, shqiptarët largohen nga vendi edhe përmes kanaleve të tjera, si bashkimi familjar apo emigrim i paligjshëm dhe i paregjistruar.
Në krahasim me vitin 2014, numri i azilkërkuesve u rrit me 300 për qind. Më 2014 qenë “vetëm” 17 mijë shqiptarët që kërkuan azil.
Mbi 81 për qind e azilkërkuesve vajtën në Gjermani, vend që së fundmi, e shpalli Shqipërinë si “vend i sigurtë origjine”, gjë që nënkupton procedura të përshpejtuara për refuzimin e kërkesës për azil. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve që kanë kërkuar azil, janë refuzuar nga autoritetet e vendeve të BE-së, të cilët besojnë se azilkërkuesit janë thjeshtë refugjatë ekonomikë dhe se nuk përndiqen politikisht në Shqipëri.
Rreth 5 për qind e azilkërkuesve shkuan në Francë ndërsa 3.9 për qind e tyre shpresuan për Suedinë. Shqiptarët kërkuan azil në pothuajse të gjitha vendet e Europës, përfshirë Rumaninë, Lihtenshteinin, e Slloveninë. Gjatë vitit të kaluar u regjistrua gjithashtu një shumëfishim i numrit të shqiptarëve që shpresuan për azil në Islandën e largët. Polonia, Malta, Sllovakia, Lituania e Letonia qenë mes vendeve anëtare të BE-së ku nuk u regjistrua asnjë azilkërkues shqiptar./reporter.al/