Nga 980 regjistra të Perandorisë Otomane, 57 i përkasin Shqipërisë. Rreth 12 mijë dokumente mbi Shqipërinë që ruheshin në arkivin qendror të Stambollit, tashmë janë në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjatë vizitës së fundit që kreu i arkivave shqiptare, Gjet Ndoi, pati në Turqi, u bë e mundur marrja e mijëra dokumenteve me rëndësi historike kombëtare.
“Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i dokumenteve nga të dyja palët në formë elektronike. Gjatë bisedimeve me palën turke, që kryesohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë z. Ugur Unal dhe nëndrejtori i Përgjithshëm z. Sebahattin Bayram, u ra dakord që të kryhen modalitetet e nevojshme, që edhe me mbështetjen e TIKA-s të fillohet nga puna nga të dyja palët”, thotë drejtori Ndoi.
Një pjesë e dokumenteve flet për mënyrën e administrimit të tokës, apo jetën politike të Ismail Qemalit në Turqi. Ka pasur përpjekje të vazhdueshme nga ana e Ismail Qemalit për të bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Ismail Qemali mendonte që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Europës.