Profesor Kamberi ka qenë ndër mjekët kryesorë të njeriut që udhëhoqi Luftën ANÇ dhe më pas diktaturën e proletariatit në Shqipëri.
Në artikullin-rrëfim Kamberi ka edhe një pjesë post-hoc ku shkruan:
“Enver Hoxha kishte vdekur. Më pas do të vinin edhe përpjekjet për të varrosur atë epokë historike të Shqipërisë.
Popullin shqiptar, – të cilin ai e kishte gjetur në një prapambetje mesjetare, që banonte së bashku me bagëtinë dhe hante me kafshatë e gishtërinj në një sahan të përbashkët; analfabet, me një varfëri të skajshme, shumëkund pa gropa septike, që ndriçohej me pishë e kandil; shëndetlig, me jetëgjatësi të shkurtuar nga malaria, tuberkulozi, sifilizi, difteria, morrat, zgjebja, dermatomykozat, tifoja, dizenteria, kequshqyerja e gjakmarrja; të pushtuar nga Italia fashiste dhe të tradhtuar nga krerë të tij, – po e linte të shkolluar, të ditur, të ndriçuar me energji elektrike, të shëndetshëm, me një jetëgjatësi mbi 2 herë më të gjatë, 3 herë më të madh në numër, në prag të qytetërimit modern dhe të aftë për të përdorur teknologjinë më të përparuar të kohës, por edhe të izoluar e me plagë të dhimbshme.
Ky popull, pasi e përcolli me vajtim e kujë për në banesën e tij të fundit, ku do të prehej përkohësisht midis atyre që kishte udhëhequr në luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk do të shqetësohej nga zhvarrosja prej kundërshtarëve të tij dhe hapja e arkivolit me tritol.
Por do t’i nënshtrohej një manipulimi të ri dhe, duke kujtuar se ashtu ishte më mirë, do të shkatërronte të mirat që për 45 vjet kishte krijuar e ndërtuar me duart, djersën, mundin e mençurinë e vet: fabrika, uzina, miniera, kanale ujitëse, hidrovore, argjinatura e ndërmarrje bujqësore, magazina, muzeume, biblioteka, shtëpi kulture, çerdhe, kopshte e qendra shëndetësore, do të shfaroste plantacionet e shumta me drurë frutorë etj., etj…dhe do të zgjidhte një tjetër rrugë nga ajo që kishte ndjekur me të…”
A ka të drejtë profesori në këtë shënim? Dhe a e ka fajin populli, apo ky është një popull i tradhtuar nga elita?
Gazeta Dita