Ministrja e i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njëherësh zëvendëskryeministre dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner nënshkruan marrëveshjen “Programi infrastruktura bashkiake V, pjesa e dytë”, i cili ka në fokus përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm.
Ministrja Balluku theksoi se kjo marrëveshje kap vlerën e 50 milionë eurove dhe ‘parashikon investime të rëndësishme në sektor, si dhe masa për forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e performancës të shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve për bashkitë që do të përfshihen në program’.
Fjala e plotë e Ballukut:
Pjesa e dytë e Programit të Performancës dhe të Investimeve në sektorin e ujit, Infrastruktura Bashkiake V, është një hap tjetër i rëndësishëm në vijim të bashkëpunimit të shkëlqyer që Qeveria Shqiptare dhe sigurisht Qeveria Gjermane ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve. Ky është rasti që unë të shpreh mirënjohjen e Qeverisë tonë, mirënjohjen e popullit shqiptar, për të gjithë kontributin që ju keni dhënë, jo vetëm përsa i përket fushës së investimeve në ujësjellës-kanalizime, por dhe në energji dhe në fusha të tjera. Ne e konsiderojmë Qeverinë Gjermane një nga partnerët tanë strategjikë më të qëndrueshëm, do të thoja unë, dhe sigurisht mbështetës të vendit tonë përsa i përket edhe rolit tashmë shumë të rëndësishëm që Shqipëria luan në Ballkanin Perëndimor.
Dy vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një bum të vërtet në sektorin e turizmit dhe praktikisht ne këto ditë kemi pasur edhe analizën e mbylljes së sezonit dhe për të thënë të drejtën një nga çështjet më të rëndësishme që ka kontribuar edhe në suksesin e sezonit turistik, por që nga ana tjetër mbetet një nga problematikat për t’u zgjidhur është patjetër furnizimi me ujë dhe menaxhimi i ujërave të ndotura.
Duhet të themi dhe është diçka që duhet ta përmendim 8.3 milionë turistë kemi pasur vetëm në 9 muajt e parë të vitit. Nëse do ta arrijmë numrin prej 10 milionë turistësh brenda 2023, kjo është një sfidë, megjithatë muajt që po vijnë nuk janë muaj të cilët i përkasin pushimeve, por nga ana tjetër Shqipëria është kthyer në një vend me 12 muaj turizëm, pasi jo vetëm ai bregdetar, por edhe ai malor, sidomos qytetet e mëdha si Tirana, Shkodra, Vlora janë kthyer në një atraksion të veçantë për qytetarët e Europës. Kështu që, me të gjitha këto zhvillime që kemi në sektorin e turizmit, patjetër duhet ti përgjigjemi me zhvillimet infrastrukturore.
Ka qenë një angazhim maksimal gjatë këtij viti, gjatë këtij sezoni turistik, i të gjitha strukturave shtetërore, për të krijuar kushtet e nevojshme për këtë lloj zhvillimi dhe për arritjen e këtij suksesi. Unë e përmend shpesh dhe dua ta them edhe sot që numrat të cilat ne përpunojmë sot të vizitorëve i përkasin një projeksioni që ne kemi bërë për 2027. Pra, kemi qenë deri diku të papërgatitur për këtë fluks turistik, por nga ana tjetër të gjitha planet zhvillimore, të gjitha reformat që ne kemi bërë, kanë filluar të japin frytet, kështu që kemi arritur të akomodojmë këtë lloj kërkese kaq të shtuar. Në disa nga qytetet kryesore ku kemi turizëm, siç është zona e Durrësit apo ajo e Sarandës, apo Dhërmiu, apo Himara numri gjatë muajve Korrik apo Gusht, numri i personave që jetojnë në zonë kalon 3, 4 apo 5-fishin e numrit të qytetarëve që janë banorë permanent. Kështu që mund të kuptoni se për çfarë flasim, por megjithatë ja kemi dalë me sukses.
Duhet thënë që ne në Qeverinë Shqiptare suksesin e marrim si sfidë, nuk kënaqemi ndonjëherë. Asnjëherë nuk na ka ndodhur që me realizimin e një vepre të madhe, me realizimin e një reforme të rëndësishme, ne të jemi kënaqur dhe të kemi festuar. Ajo që zakonisht ndodh, ne mblidhemi në tryezat e qeverisë apo në tryezat e ministrive dhe fillojmë të shikojmë sesi mund të adresojmë problematikat që na kanë dalë pikërisht gjatë periudhës të ndërtimit të një vepre apo të një sezoni turistik apo të një sfide. Pra jemi gjithmonë aty për ti dhënë zgjidhje asaj çka vjen dhe jo të gëzojmë me atë që sapo kaloi.
Kështu që për këtë arsye unë sot këtë firmosje e konsideroj shumë të rëndësishme, si një hap tjetër që ne do të hedhim pikërisht për arritjen e këtij objektivi dhe ky objektiv do të shërbejë edhe si një bashkëpunim i mëtejshëm i palës shqiptare me palën gjermane, këto janë gur kilometrik që ne vendosim me njëri-tjetrin herë mbas here.
Unë do ta përsëris edhe njëherë për të gjithë ata që ne na ndjekin, se kush është qëllimi i vërtetë i këtij Programi dhe është patjetër që të kontribuojë në përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimi dhe trajtimit të ujërave të përdorura urbane në disa bashki të vendit, ku sigurisht prioritet do të kenë zonat turistike, qofshin ato të bregdetit, apo qofshin ato të turizmit malor.
Marrëveshja ka një vlerë prej 50 milionë euro. Parashikon investime të rëndësishme në sektor, si dhe masa për forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e performancës të shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve për bashkitë që do të përfshihen në Program. Pikërisht kjo performancë, në projektet e mëparshme, ka qenë ajo që ka definuar sesi do të përzgjidheshin bashkitë. Këto janë projekte të cilat bazohen mbi performancën e secilës bashki apo të secilës ndërmarrje dhe tashmë ne duhet t’ju kujtojmë që kemi bërë një reformë të thellë përsa i përket menaxhimit të ujësjellës-kanalizimeve, duke agreguar të gjitha ato ndërmarrje të vogla që qëndronin të shpërndara në 61 bashki dhe me një diferencë të madhe performance mes njëra – tjetrës, të cilat sot kanë një fuqi tjetër si përsa i përket ofrimit të shërbimeve, si përsa i përket ekspertizës, pra inxhinierëve që punojnë aty, teknikëve të mesëm etj., dhe sigurisht bazës materiale, duke i dhënë kështu menaxhimit të madh, në krye që është AKUM-i, një mundësi për të vlerësuar performancën e secilit nga agregimet akoma më mirë.
Nga ana tjetër, ne duhet të kujtojmë herë pas here se na është dashur që të rindërtojmë rrjetin e shpërndarjes në të gjithë Shqipërinë. Ne kemi trashëguar një rrjet shpërndarje të ujësjellësave mbi 60 vjet të vjetër. Një rrjet i cili i përgjigjej një popullsie dhe një kërkese ekonomike shumë më të ngushtë nga ajo që kemi sot, qytete të cilat janë transformuar në qendra të vërteta biznesi, siç është rasti i Tiranës, ku sot në Tiranë krahasimisht me dikur që jetonin 300 mijë banorë sot jetojnë rreth 1 milionë banorë apo rastet e qyteteve të tjera siç është Vlora, apo siç është Saranda ku siç thashë, vetëm gjatë sezonit veror, duke nisur nga maji dhe deri në tetor numri i banorëve shumëfishohet krahasimisht me ata që janë banorë të përhershëm.
Sigurisht, i gjithë sektori i ujësjellës kanalizimeve është hasur dhe me problematika shumë të mëdha që kanë të bëjnë me furnizimin me energji elektrike duke krijuar kështu një efekt zinxhir negativ edhe në financat e sektorit energjetik dhe kjo është një nga sfidat tona më të mëdha, që përveç të gjitha çështjeve teknike, përveç agregimit, reformës që ne po bëjmë, përveçse të sensibilizojmë qytetarët tanë që uji me të vërtetë është një dhuratë nga zoti, por deri në momentin që vjen në rubinetet tonë ka një proces shumë të gjatë për të ardhur dhe ka një investim të madh të Qeverisë, bashkive, të pushtetit vendor. Të gjitha këto sigurisht kanë nevojë edhe për ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve tanë, siç është rasti i programeve me performancë që ne kemi prej kohësh dhe do të vazhdojmë që të kemi dhe në të ardhmen.
Gjithashtu, duhet pasur parasysh që të gjitha këto ujësjellësa të amortizuar, të gjitha këto rrjete të ndërtuar 60 vite më parë që nuk kanë asnjë përputhshmëri sot me kërkesën shoqërohen gjithashtu me një mungesë tjetër që ka të bëjë me kanalizimet e ujërave të ndotura urbanë, që për shkak të prioritetit që i është dhënë ndërtimit të ujësjellësave, të shpërndarjes së ujit të pijshëm, kanë qenë pak më të frenuara përsa i përket investimeve.
Por nga ana tjetër sot kemi arritur para një fakti kur edhe kanalizimet janë po aq të rëndësishme sa shpërndarja e ujit të pijshëm dhe duan një vëmendje të jashtëzakonshme dhe ne për këtë arsye kemi nisur një analizë të mirëfilltë të gjithë territorit shqiptar, ku përveç identifikimit të problematikave dhe zgjidhjeve që duhet ti japim në të ardhmen, kemi bërë edhe një kostim të saktë të investimeve që duhet të ndodhin përsa i përket kanalizimeve duke filluar nga Vermoshi deri në Konispol, por duke i dhënë prioritet, duke nisur nga zonat të cilat kanë zhvillim ekonomik, janë zona turistike dhe duke vazhduar pastaj edhe me të gjitha zonat e tjera.
Kemi marrë disa vendime të rëndësishme që kanë dalë si rrjedhojë e analizës të përmbylljes së sezonit turistik, që ne do ti bëjmë publike në ditët në vazhdim, dhe që kanë padyshim të bëjmë me të gjitha ato njësi tregtare të cilat janë të angazhuara në sektorin e turizmit, siç janë hoteleritë, apo siç janë restorantet, baret, njësitë e tjera të argëtimit. Të gjitha këto së bashku krijojnë një sfidë të re dhe sfidat nuk kalohen absolutisht pa ndihmën e partnerëve tanë. Pa kontributin tuaj ambasador dhe KfW që është këtu dhe padyshim është ajo që bën punën e vërtetë për llogari të Qeverisë Gjermane këtu në terren në Shqipëri.
Punët e mira bëhen bashkë. Kështu që me të gjitha sfidat që ne kemi përpara. Me të gjitha arritjet që tashmë janë të përbashkëta, unë besoj që edhe ky Program, Programi V i infrastrukturës, do të jetë shumë i suksesshëm dhe ne na duhet që të angazhohemi këtu para jush, dhe unë angazhohem në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe AKUM, se do të ndjekim këtë program dhe do të mundohemi ta realizojmë me të njëjtin seriozitet që kemi bërë edhe me Programet e tjera. Duke e përfunduar në kohë, duke marrë të gjitha masat administrative që duhen për disbursimin e kësaj kredie, që shpeshherë krijohen vonesa burokratike, por që ka disa kohë që nuk i krijojmë më, apo jo, dhe kjo është një gjë që dhe ju e keni thënë zakonisht në daljet tuaja publike sepse për ne koha është elementi më i rëndësishëm.
Shqipëria i ka të gjitha dhe unë e përsëris shpeshherë. Shqipëria ka edhe detin, edhe diellin, edhe malet, edhe njerëzit punëtor dhe dëshirën për të jetuar. Ne na mungon vetëm koha. Pasi kemi humbur një kohë të gjatë gjatë periudhës së komunizmit dhe pastaj kemi humbur një kohë të gjatë tranzicionit, kështu që vlera më e madhe për ne është koha. Ndaj do mundohemi që të jemi sa më korrekt, pa burokraci dhe këtë e kërkojmë dhe nga ana juaj, që të ecim sa më parë me të gjitha projektet që bashkitë unë jam e sigurt mezi po i presin dhe unë mezi po pres të shikoj rezultatet./m.j