Juristi Romeo Kara thotë se procesi në çështjen e ‘Gërdecit” ka ecur shumë ngadalë, dhe sipas tij, Shkëlzen Berisha, i biri i ish kryeministrit, Sali Berisha, duhet të ishte i pandehur, e jo të thirrej si dëshmitar.
Në një intervistë për ABC News, Kara u shpreh se nuk ka pasur njeri guxim të merrej me këtë aferë dhe të bënte biznes të tillë me punëtore të pakualifikuar dhe për më tepër, në zonë rezidenciale.
“I gjithë procesi po shkon me shumë ngadalsi, është peng i një perceptimi që, është arritje e madhe që personat që quhen të paprekshëm si familja Berisha, një prej tyre, Shkëlzen Berisha, më në fund po shkon dëshmitar. Ndërkohë që e gjithë bota, në mjaft artikuj, në gjithë këto vitet e fundit, e kanë përmendur atë si kokën e korrupsionit, që qëndron pas kësaj tragjedie, pra që i ka paraprirë kësaj tragjedie. Unë nuk e kuptoj, për çfarë arsye ky nuk merret i akuzuar, por merret dëshmitar. Pra, nuk na bën një nder të madh dhe nuk kemi ndonjë satisfaksion të madh sa po e shohim më në fund, të nderuarin Shkëlzen Berisha që po merret dëshmitar.
Jo. Është thënë në disa intervista, në disa video, ku personi i cili ka qenë në krahun amerikan të këtij korrupsioni, Diveroli, kanë qenë edhe persona të tjerë, Pakos dhe Prodinski, të cilët kanë pasur takim me të, ka qendruar i heshtur kur është bërë pazari, ka qenë aty Delijorgji, Trebicak.
E ka dëgjuar të gjithë meselenë e këtij pazari dhe në fund palët i kanë thënë njëra-tjetrës që filani ishte i biri i kryeministrit shqiptar. Nuk ka pasur kush guximin të merret me këtë aferë dhe ta çonte këtë biznes kaq të rrezikshëm me punëtorë të pakualifikuar dhe në një zonë rezidenciale”, theksoi ai./m.j