Faqja zyrtare e familjes mbretërore britanike është vendosur në shënjestër të një sulmi kibernetik, përgjegjës për të cilin mendohet të jetë grupi rus i hakerëve “Killnet”, të cilët ndanë një postim në Telegram duke pretenduar se qëndronte pas sulmit.
Royal.uk, faqja zyrtare në internet për informacione rreth mbretit Charles, mbretëreshës Camilla dhe familjes së tyre, nuk funksionoi për rreth 90 minuta të dielën në mëngjes (1 tetor), duke filluar nga ora 10:00.
Sipas mediave të huaja, nuk bëhet fjalë për hakerim, pasi asnjë përdorues i huaj nuk kishte arritur të kishte akses në sistemet ose përmbajtjen e faqes në internet.
Mësohet se në faqen zyrtare të familjes mbretërore u shfaq mesazhi “error-i” dhe vizitorët nuk ishin në gjendje të hynin në faqen e internetit. Më vonë, ajo u kthye funksionale përsëri, por me kontrolle shtesë të sigurisë për përdoruesit përpara se t’i lejonin të hynin.
/a.r