Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka garantuar prokurorët dhe gjyqtarët se siguria e tyre fizike është e garantuar nga Policia e Shtetit.
Në një takim mes Ballës, KLP-së, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, atij të Gardës dhe kreut të SPAK, u diskutua pikërisht për sigurinë e magjistratëve pas dëshmisë bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani që tha se grupi kriminal i Laert Haxhiut do të vriste dy prokurore dhe një avokat.
Pas mbledhjes, Balla bëri të ditur se do të bëhen disa ndryshime në VKM për sigurinë e magjistratëve, ndërsa paralajmëroi se javët në vijim do të ketë goditje të tjera ndaj grupeve kriminale.
“Jemi takuar sot, nuk është takimi i parë, jemi takuar me kryetarin e KLP 1 muaj më parë pikërisht për këtë çështje, kur kemi diskutuar dhe e kemi bërë dhe publik faktin për çëshjen e sigurisë së prokurorëve. Në vëmendjen tonë është siguria e të gjithë magjistratëve.
Dua që t’i garantoj se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit dhe Garda janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe natyrshëm sigurinë e çdo gjyqtari, prokurori dhe familjeve të tyre.
Nuk ndaj me ju të njëjtin vlerësim që ka mungesë kuadri ligjor. Nuk është kështu. Falë punës së prokurorisë dhe Policisë së Shtetit ne kemi arritur të thyejmë kasafortat e sekreteve të një bande kriminale dhe në ditët në vijim do arrijmë të thyejmë edhe të tjerë. Ajo që për mua sot ka rëndësi është që kemi diskutuar dhe i kam njohur drejtuesit e KLP mbi një qasje të re që ne me drejtorin e përgjthshëm kemi diskutuar dhe që do jemi përsëri këtu brenda një jave për ta filluar zbatimin e saj që do përfshijë dhe ndryshime jo në ligj por në VKM.
Natyrshëm që e vërteta është që kur bëhet fjalë për SPAK dhe GJKKO, do të ketë vëmendje më të shtuar sepse ligji ja ka dhënë këtë vëmendje dhe secila nga institucionet e varësisë së Ministrisë që unë drejtoj, do të rrisin masat e sigurisë për të garantuar që këto institucionet të bëjnë detyrën e tyre”.
Sa i përket goditjes së bandës së Laert Haxhiut, ministri i Brendshëm Taulant Balla theksoi se për kërcënimet do duhej të kishte dhe informacion nga SHISH, e për këtë arsye në mbledhjet e ardhshme do të ftohet edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ.
“Kur draftohej apo miratohej Reforma në Drejtësi, kemi thënë që kjo reformë do të shkaktojë dhimbje dhe këto dhimbje po i shkakton dhe te krimi i organizuar me goditjet e fundit dhe me ato që planifikojmë të realizojmë në ditët apo javët në vijim. Dhe sikurse ka ndodhur edhe në vende të tjera, na duhet të mësojmë nga gabimet e të tjerëve për t’i parandaluar.
Dhe e vërteta është që në rastin në fjalë është një rast kur me të drejtë ne duhet të kishim pasur informacion, kemi rënë dakord që në disa prej takimeve periodike do ftojmë edhe drejtuesen e SHISH, dhe po ashtu në komisionin që vlerëson nevojat për sigurinë e prokurorëve nuk do jetë një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, por do jetë ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm”.
Ish-prokurorja e Lushnjes Merita Selimi dhe ajo e SPAK Doloreza Musabelliu janë marrë nën ruajtje fizike, pasi grupi i Laert Haxhiut planifikonte eliminimin e tyre.
/a.r