Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti Presidentin e Parë të Parlamentit të Landtag-ut të Vjenës, Ernst Woller, qytet i cili zbaton prej vitesh projektin “AL-VET Quality For All”, për arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri. Pjesë e këtij projekti është edhe konvikti i Shkollës së Mesme Ekonomike të Tiranës, ku Veliaj dhe Woller zhvilluan një vizitë, për të parë nga afër realizimin e tij nga Agjencia Austriake për Arsimin.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi kontributin e dhënë për arsimin profesional në Tiranë nga qeveria austriake. Ai shtoi se ky investim ka rritur jo vetëm cilësinë e arsimit, por edhe sigurinë e prindërve, që i dërgojnë fëmijët në shkolla larg vendbanimit të tyre.
“Kur shikoj si është rrethuar hapësira, por edhe pastërtia dhe afërsia e konviktit me shkollen, ndihem mirë për faktin se fëmijët janë në një hapësirë të sigurt, ku ushqehen mirë, ku ka kujdestarë dhe kamera. Çdo prind ndihet i sigurt kur e sjell me besim fëmijën e tij këtu, sidomos në konvikt – se unë e kuptoj fëmijën që shkon në shkollë nga ora 8:00 deri në 13:00, por kur rri edhe natën këtu, do të thotë se ka një besim më të madh. Prandaj, shumë faleminderit për ndihmën! U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që merren me engjëjt tanë përditë dhe sigurohen që ta kthejnë Tiranën, që është motori gjenerator kryesor i Shqipërisë, por edhe gjithë Shqipërinë, drejt punëve që kanë bereqet dhe duk,” u shpreh Veliaj.
Presidentin e Parë të Parlamentit të Landtag-ut të Vjenës, Ernst Woller, nga ana e tij falenderoi kryebashkiakun Veliaj për bashkëpunimin, që sipas tij, e ka bërë edhe më të lehtë punën për realizmin e projektit. “Ne jemi ngarkuar nga qyteti i Vjenës për realizimin e një projekti që e shigjeton problematikën nga tre këndvështrime të ndryshme: nga pikëpamja fizike, pra për sa i përket mjediseve dhe infrastrukturës; nga ana psikologjike, për të gjithë ata që jetojnë këtu, dhe ku kanë të përditshmen e tyre, dhe sigurisht që këtë e realizojmë më së miri me anë të edukatorëve tepër të kualifikuar; së treti, është sigurisht fitimi i besimit të prindërve, që duhet të dinë se fëmijët e tyre janë në duar të sigurta. Ndaj, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia për këtë bashkëpunim të suksesshëm, për ju i nderuar Kryetar, por gjithashtu edhe kryetarëve të tjerë të bashkive të rretheve të tjera, ku ne kemi pasur disa nga bashkëpunimet tona më të frytshme,” u shpreh Woller.
Projekti “AL-VET Quality For All” synon rritjen e cilësisë së arsimit profesional ve së arsimit profesional veçanërisht në fushën e turizmit dhe teknologjisë së informacionit, duke kontribuuar në dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si mundësi për rritjen e punësimit.