Në ambjentet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, u mbajt konferenca e përbashkët për shtyp e ministri Blendi Klosi me ministrin Rajonal të Politikave të BE për zhvillimin Ekonomik, Arsimin dhe Formimin Profesional, të rajonit të Emilia Romagna-s, prof. Patrizio Bianchi dhe Ambasadorit Italian Alberto Cutillo.
Në qendër të kësaj konference, ishte shkëmbimi i përvojës së dy vendeve për politikat mbi arsimin profesional dhe implementimin e tyre.
Ministri Klosi tha se “ky takim ka një rëndësi të veçantë në aspektin e shkëmbimit profesional të ideve dhe mundësisë për të kuptuar se cilin model implementimi do duhet të ndjekim në Shqipëri. Duke patur si objektiv të rëndësishëm të kësaj Ministrie por edhe të Qeverisë, dyfishimin e nxënësve dhe të rinjve që ndjekin arsimin profesional.”
Po ashtu ai tha se “ problem është punësimi dhe jo mungesa e vendeve të punës. Duke u bazuar, edhe në bisedat e takimet e tre muajve të fundit me biznese të ndryshme, ku këto të fundit kanë shprehur kërkesa të përsëritura në nevojën e tyre për profesionistë”.
Gjithashtu, ministri i vuri theksin edhe paketave ligjore të përgatitura dhe gati për diskutim parlamentar, në lidhje me nxitjen e punësimit, shtimin e vëmendjes ndaj arsimit profesional.
Gjithashtu ai përmendi edhe 15 shkolla të cilat do të kthehen brenda vitit në Qendra Ekselence , brenda shtatorit te 2016.
Ministri Klosi, paralajmëroi gjithashtu edhe fushatën sensibilizuese që do të ndërmarrë së shpejti, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe me prindërit e tyre për rëndësinë e arsimit profesional./ATA