Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka folur gjatë për gratë sot në ditën ndërkombëtare të tyre. Në një aktivitet të organizuar për shpërndarjen e kartave të reja të anëtarësimit, Ruçi tha se PS përmbushi premtimin për pjesëmarrjen e grave në politikë dhe vendimmarrje. Ai tha se edhe në zgjedhjen e delegatëve, gratë kanë fituar në përballje më të shumta kundrejt burrave.
Duke folur për zonën e tij në Fier, ku është zgjedhur deputet, Cakranin tha se mes kandidateve shoqe dhe burra i kishte marrë votat një shoqe dhe se 50% e delegateve janë shoqe. Ai kërkoi që edhe në organizatat socialiste 50% të jenë gra.
“Gjatë kësaj periudhe janë pranuar 30 mijë anëtarë të rinj. Gratë dhe vajzat shqiptare duhet të arrijnë 50% tek organizatat e partisë socialiste”, tha Ruçi.
Ai më pas ka treguar një episod nga e kaluara, në kohën që ishte ministër i brendshëm për 3 muaj.
“Para 25 viteve, në ’91-shin unë isha ministër i brendshëm për 3 muaj. Situata ishte kritike. Atëherë erdhi një partner nga Gjermania dhe më tha si do ta përballosh? Unë i flisja për masat policeske. Ai më tha zotëri ke vetëm një shpresë: Duhet të dalësh në TV dhe t’u drejtohesh grave. Mendova ‘ç’është ky i marrë, unë jam ministër i brendshëm’. I thashë si të dal. Ai më tha se ‘si janë gjakrat e ndezura vetëm gratë mund të shpëtojnë këtë vend dhe ty. Vetëm gruaja mund të ulë gjakrat e këtij populli dhe vendi dhe të kapërcejë këtë moment’. Sepse ato kanë një burrë, një vëlla, një djalë, një shok që e kanë atje jashtë. Dhe falë grave Shqipëria nuk kaloi në luftë civile as në ‘97 e as në ‘91. Faleminderit për çka keni bërë për këtë vend dhe për këtë popull”, tha Ruçi.