Deputeti i PS, anëtari i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Petro Koçi, ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN ku u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve.
Ai u shpreh se BE-ja duhet të kishte një reagim shumë më të ashpër ndaj Serbisë, ndërsa tha se Bashkimi Europian ndjek një politikë shumë të brishtë ndaj qëndrimeve të Beogradit.
“Prej kohësh, BE ndjek një politikë shumë të brishtë ndaj qëndrimeve të Serbisë sepse Serbia është treguar pelivane në marrëdhëniet që ka me Rusinë dhe projektin për t’u integruar në BE. Kjo situatë e ka bërë BE-në që të mos jetë shumë e përqendruar në disa kritere, të cilat Serbia duhet t’i plotësojë për të vazhduar procesin e integrimit. Serbia duhet të linjëzohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së. Në marrëdhënien me Rusinë nuk është në të njëjtën linjë. Po ashtu, në marrëdhënie me dialogun me Kosovës, nuk ka plotësuar ato që i janë kërkuar. Ndaj Serbisë ka pasur një tolerancë gjithnjë e më të madhe.
Shqipëria është treguar gjithmonë e kujdesshme dhe kjo është kërkuar edhe nga partnerët tanë. Rama ka ndjekur gjithmonë një politikë paqeje. Pas kësaj që ndodhi nuk ka më vend për diskutime. Qëndrimi i BE ishte sërish me ekuivokë kur duhej të dënonte ashpër krimin dhe faktin që Serbia ndërmori ditë zie për terroristët. Për mua, mbajtja e zisë shtetërore nga Serbia ishte tamam si ato deklaratat kur bëhen nga ato subjektet që marrin përgjegjësinë për ngjarje të caktuara”, tha Petro Koçi në A2 CNN.
/a.r