Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në Roterdam të Holandës, ku raportohet edhe për disa viktima.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, të cilat citojnë autoritetet të kenë thënë se një person i armatosur ka hapur zjarr në një banesë dhe më pas në një qendër mjekësore në qytetin holandez.
Mediat lokale raportojnë se sulmuesi fillimisht hapi zjarr në një shtëpi, duke plagosur dy persona, përpara se t’i vinte flakën ndërtesës. Një zëdhënës i policisë së Roterdamit tha se i dyshuari më pas u nis për në një spital lokal.
Policia holandeze ka thënë se është arrestuar një 32-vjeçar si autori i dyshuar i sulmit. Ai u arrestua në Qendrën Mjekësore Erasmus në Roterdam, i dyshuar si i përfshirë në të dyja incidentet e të shtënave me armë zjarri.
Qendra Mjekësore Erasmus, e identifikuar nga policia lokale si vendndodhja e të shtënave, më herët postoi në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter, duke i bërë thirrje njerëzve që të qëndrojnë larg këtyre ambienteve.
“Për shkak të incidenteve të ndryshme, aktualisht ju kërkojmë të mos vini në Erasmus MC”, thuhet në postim./m.j