Dëshmia e Artan Tafanit për bandën e Laert Haxhiut ka zbardhur detaje të reja edhe për një ngjarje kriminale, ku është i përfshirë artisti Rigels Rajku, i njohur si NOIZY.
Mësohet se pikërisht “killeri” nga Lushnja qëndron pas vendosjes së tritolit në biznesin në pronësi të babait të Noizy-t, Bashkim Rajkut.
Personat që kanë vendosur tritolin në lokal kanë qenë vetë Laert Haxhiu, Artan Tafani si dhe dy anëtarët e tjerë të bandës së Lushnjës, Lulzim Spahija, i njohur si “Arapi” dhe Erisiano Abedini.
Por çfarë e shtyu Laert Haxhiun drejt kësaj ngjarjeje?
Gjithçka ka nisur pas sherrit të Noizyt me reperin Keviol Ahmeti, i njohur si Cllevio, me këtë të fundit që është shok me Laert Haxhiun.
Ka qenë nëna e Haxhiut që e ka njoftuar kreun e bandës së Lushnjës për sherrin dhe sipas të penduarit Artan Tafani, ajo ishte shqetësuar shumë sepse ngjarja ishte bërë mediatike. Pas kësaj, Haxhiu ka telefonuar Tafanin dhe i ka kërkuar të gjejë lëndën plasëse për ta vendosur te lokali.
Lëndë plasese e përdorur në biznesin e Noizyt mësohet se ishte marrë në Tepelenë dhe ishte dërguar në Durrës nga personat e dyshuar.
Ngjarja ndodhi mëngesin e 8 qeshorit 2022 dhe fatmirësisht nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale./m.j