Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se autoritetet në Kosovë po hetojnë dhe analizojnë provat e deritanishme për të parë ndonjë lidhje të mundshme të Rusisë me sulmin terrorist të grupit të armatosur serb mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Në një intervistë për Associated Press, Sveçla u shpreh se në provat e grumbulluara deri tani janë pjesë dhe disa dokumente që ngjallin dyshime për pjesëmarrjen e disa individëve nga Rusia në grupin e armatosur serb.
“Ajo çka e dimë sigurt është se sulmuesit erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë të Kosovës dhe Serbisë dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi.
Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu. Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime.”-është shprehur Sveçla./m.j