Për kryeministrin Edi Rama, ndërkombëtarët kanë bërë gjithnjë gjënë e duhur kur vjen puna te çështja e dialogut Kosovë-Serbi.
Teksa flitej për rezistencën e bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndaj ndërkombëtarëve sa i përket procesit të dialogut, Rama theksoi se pa BE-SHBA, Kosova nuk do të ishte shtet sot.
“Ndërkombëtarëve që po u reziston Albin Kurti?…Si u bë Kosova shtet? Kush e bëri? Kush e njohu? Kush e bëri planin franko-gjerman?”
Ndërsa përsëriti disa herë faktin që mund të jetë cilësuar nga disa në Kosovë si “vëllai i Vuçiçit”, kreu i qeverisë theksoi se homologu i tij në Kosovë, nuk mund të ketë gjithnjë të drejtë, “ndërsa e gjithë bota e ka gabim.”
“Nuk është e mundur kjo. Aq më tepër kur dihet se kush janë palët. Sot unë po bëj atë që kam bërë edhe herë të tjera. Europa është hapësirë demokratike, jo hapësirë ku për çdo gjë bien dakord të gjithë. Kanë bërë gjënë e duhur, gjithmonë. Në kërkesat e tyre, duke i besuar ata, atij objektivi strategjik që kanë për dialogun.”
Po ashtu, sipas Ramës, Serbia nuk duhet parë më si një agresor, por si vendi që e ka humbur luftën me Kosovën.
Ndërsa, kjo e fundit, siç u shpreh ai, është vendi që sot ka shansin që të marrë atë që ka kërkuar ndër vite.
/a.r