Laert Haxhiu akuzohet si organizator dhe porositës i dy vrasjeve të ndodhura në Greqi. I pyetur nga A2 CNN se pse ka dështuar për 5 vite arrestimi i Laert Haxhiut dhe nëse ka patur bashkëpunëtorë në radhët e drejtësisë, drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku mohoi çdo dekonspirim të operacioneve në lidhje me të. Sipas tij në asnjë rast nuk duhet cenuar imazhi i policisë dhe institucioneve, ndërsa në cilësinë e drejtorit ai tha se merr përsipër vetëpastrimin e organizatës policore dhe theksoi se do të flasë me fakte e prova dhe jo opinione.
“Jo në çdo rast mund të mendoni që kur një operacion policor, mbi bazën e të dhënave që marrin strukturat policore mund të mos rezultojë i suksesshëm dhe t’i vëmë nofkën se ka bashkëpunëtorë nga policia. Ju siguroj që operacionet përkundrejt Haxhiut në asnjë rast, nga analizat që unë i kam bërë, kur drejtoja policinë e shtetit dhe AMP nuk kemi pasur dekonspirime dhe lidhje të tilla kriminale për të cilat duhet të akuzojmë strukturat policore.
Duhet të jeni shumë të rezervuar me atë çka ndani se qofshim ne si polici e prokurori do të flasim me fakte e prova mbi çdo individ pjesë e strukturës policore e jashtë saj për çështje që lidhen me shkallën e implikimit. Në asnjë rast nuk duhet të cenojmë imazhin e organizatës së policisë, institucioneve. Si drejtori i Përgjithshëm i policisë marr përsipër vetëpastrimin e organizatës sime mbi të gjitha rastet. Por do të flas me fakte dhe jo opinione të ndara”.
/f.s