Hetimet në lidhje me vrasjen e 37-vjeçarit, Fatjon Dervishi (Toni Margen) janë intensifikuar.
Teksa organet ligjore mbeten në pritje të informacionit të Interpol Tiranës për të identifikuar lidhje shoqërore të viktimës apo shtetas me të cilët mund të ketë pasur konflikte, jashtë vendit, kanë ngushtuar rrethin e hetimit.
Prishja e pazareve të drogës mbetet njëra nga pistat.
Kjo lidhet nga hetuesit pas informacioneve të deritanishme që kanë siguruar në koordinim me homologët holandezë, ku ka rezultuar se viktima ka qenë hetuar në këtë shtet, për trafikim të lëndëve narkotike.
Krahas prishjes së pazareve të drogës, policia po heton edhe në pistën, krim i ndodhur për motive hakmarrje për shkak të vëllait të tij, i cili akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë zhdukjen e një personi në Spanjë.
Sipas hetuesve, mund të kemi të bëjmë me vrasës me pagesë dhe qitës profesionist të cilët kanë qenë shumë të saktë, pasi kanë qëlluar vetëm objektivin dhe personi që e shoqëronte nuk ka marrë asnjë lëndim.
Grupi hetimit ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi krimi dhe po kontrollojnë pamjet filmike.
Ndërsa të 7 personat e shoqëruar janë lënë sërish të lirë, pasi nuk kanë gjetur elementë për t’i implikuar në ngjarje.
37-vjeçari, babi i dy fëmijë mbeti i vrarë teksa po kthehej nga një lokal nate për në banesën e tij në zonën e Katundit të Ri në Sukth.
/a.r