Këshilli i Lartë i Prokurorisë i hap rrugën garës për plotësimin e tre vendeve vakante për prokuror ,në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas njoftimit të publikuar nga KLP, mësohet se Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar rregulloren e re për zgjedhjen e prokurorëve në këtë strukturë nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë.
Komisioni i Zhvillimit të Karrierës i drejtuar nga Alfred Balla dhe me anëtarë Bujar Sheshi dhe Eloida Goxhi mori të martën pasdite vendimin për të propozuar hapjen e garës. Seanca plenare ku do të diskutohet kjo procedurë u caktua në datën 29.09.2023 ora 10.00.
Sipas vendimit, nëse do të miratohet propozimi i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës pranë KLP-së, numri i prokurorëve pranë SPAK pas disa muajsh arrin në 20.
Prokuroria e Posaçme u ngrit pas ndryshimeve ligjore të vitit 2017, si një strukturë e posaçme e organit të akuzës me qëllim hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe të krimit të organizuar.
/a.r