Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Rrëshen, ku mbeti i vrarë Martin Bardhi dhe u plagosën 3 të tjerë, policia ka shoqëruar disa persona. Gazetari Besar Bajraktaraj thotë se në komisariat janë shoqëruar anëtarë të fisit Reçi, mes tyre edhe Saimir Reçi i cili pati dhe konfliktin me viktimën, në Mars të këtij viti. Bashkë me të është shoqëruar edhe i ati i tij.
Në total deri më tani janë 10 të shoqëruar që janë marrë në pyetje. Anëtarët e fisit Reçi mësohet se kanë mohuar përfshirjen në atentat.
59-vjeçari Martin Bardhi u ekzekutua me breshëri automatiku teksa ndodhej i ulur në lokalin e tij paraditen e së martës, në shoqërinë e 3 personave që mbetën të plagosur. Teksa autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende, pista kryesore e policisë është ajo e hakmarrjes.
Martin Bardhi kishte pak kohë që liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin e dështuar, pikërisht ndaj Saimir Reçit.
/a.r