Nga Veton Surroi
Në dymbëdhjetë muajt e fundit apo mbase në dymbëdhjetë vjetët e fundit Serbia ka përligjur pothuajse detyrimin që BE-ja (dhe në masë jo të vogël SHBA-ja) t’i adaptohen politikës së vet e jo që ajo t’u adaptohet BE-së e SHBA-së. Mbase Banjska mund të jetë moment për kthesë
1.
Kur të jetë i botuar ky tekst, në Serbi do të jetë ditë zie për shkak të “tragjedisë në Banjskë”. Kështu do të përvidhet një shpjegim pranueshmërie veprimit të njësitit paraushtarak në Banjskë, i cilësuar si veprim terrorist nga ana e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe. Ky veprim me të cilin u vra një polic kosovar e në të cilin humbën pastaj jetën katër sulmues do të quhet tragjedi, siç mund të quhet tragjedi një rrëshqitje dheu që merr disa shtëpi, një aksident i një autobusi në autostradë apo një tërmet i intensitetit mesatar që shkakton rrënim shtëpish e humbje jetësh.
Përzgjedhja e fjalës “tragjedi” ka të bëjë me një veprim të peshuar e të vendosur në një ligjërim të përpiktë politik. Sulmi i grupit paraushtarak ishte “tragjik” për shkak të pasojave të tij, humbjes së jetëve të njerëzve , por mbase me gjasë edhe nga mosarritja e objektivit. Në deklarimin e presidentit të Serbisë dhe ministrit të tij të Jashtëm, veprimi i grupit paraushtarak ishte legjitim sepse i kundërvihet “terrorit të Kurtit” dhe në vend se të shuhet nëpërmjet veprimit të Policisë së Kosovës, është dashur të vendoset armëpushim dhe të zhvillohen negociata me të.
Në një interpretim të këtillë do të dalë se M.Radoiçiq dhe tridhjetë pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti ishin një lloj të dërguarish që me përdorimin legjitim të armëve do të krijonin një proces të ri negociator.
Dhe, me një interpretim të këtillë, pushteti në Beograd shpreson, jo pa të drejtë e mbështetur në përvojën e kaluar, se ligjërimi i tij do të fitojë, se Perëndimi do të mbajë pakënaqësi 24-orëshe me këtë veprim dhe do të kalojë në “business as usual”.
2.
Legjitimimi i përdorimit të forcës në Kosovë nga ana e pushtetit të Serbisë përbën edhe një përshkallëzim të ri në rrugën e gjatë të një procesi mbi dhjetëvjeçar të quajtur “normalizimi” (që me këtë emërtim ka bartur kundërthënie të brendshme). Por, ky veprim i Serbisë është krejtësisht i logjikshëm dhe i kuptueshëm nga racionaliteti i saj. Gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar Serbia ka shënuar tri fitore të rëndësishme për logjikën e vet.
E para qe kur Gjermania dhe Franca nëpërmjet autoritetit të liderëve të tyre u ofruan Kosovës dhe Serbisë Marrëveshjen bazike me parimin “merre ose lëre”. Serbia arriti që të mos e bëj asnjërën, as ta lërë, as ta marrë, por ta konsiderojë si një dokument pune të mëtejme.
E dyta qe kur ajo që u quajt Marrëveshje u ofrua të nënshkruhej nga Kosova , u refuzua nga Serbia dhe u shpall si fitore e arritur nga BE-ja; sot e kësaj dite BE-ja konsideron se ekziston një marrëveshje ndonëse atë e pranon Kosova, por jo Serbia.
E treta qe kur në formë të suksesshme refuzoi të akordonte politikën e vet të jashtme me atë të BE-së duke sanksionuar Rusinë për agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Në dymbëdhjetë muajt e fundit Serbia ka përligjur pothuajse detyrimin që BE-ja (dhe në masë jo të vogël SHBA-ja) t’i adaptohen politikës së vet e jo që ajo t’i adaptohet BE-së e SHBA-së.
3.
Dhe, mbase nuk është se po ndodh vetëm në dymbëdhjetë muajt e fundit.
Që nga viti 2011, BE-ja ka marrë obligim lehtësimin e procesit të “normalizimit” të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë dymbëdhjetë vjetëve është marrë me gjithçka, prej fusnotave e rrethrrotullimit në Mitrovicë, prej targave deri te përcaktimi i etnisë së panelit të gjykatësve të Apelit, por nuk ka arritur të përcaktojë aktin bazik, atë të barazisë së palëve, të trajtimit të Kosovës dhe Serbisë si dy palë të barabarta që duan të rregullojnë marrëdhëniet e ndërsjella.
Gjatë kësaj periudhe Serbia ka arritur (me ndihmën e madhe të pushtetit të Kosovës) që të përligjë në një proces evropian një ide thelbësisht në kundërshtim me vlerat evropiane, atë të këmbimit të popullsisë e territoreve. Gjatë disa muajve pushtetet në Serbi e Kosovë, me ndihmën e znj.Mogherini dhe administratës së Trumpit janë ulur për të vizatuar hartat e reja të Serbisë dhe Kosovo* (të atij territori që edhe pas hartave të reja duhej zgjidhur statusin).
Dhe, tërë këtë Serbia e arriti me një fitore fillestare pas shpalljes së mendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin e kishte kërkuar vetë dhe i cili përcaktonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Del atëherë se në dymbëdhjetë vjetët e fundit Serbia ka përligjur pothuajse detyrimin që BE-ja (dhe në masë jo të vogël SHBA-ja) t’i adaptohen politikës së vet e jo që ajo t’i adaptohet BE-së e SHBA-së.
4.
Presidenti Vuçiq shpjegoi logjikën e këtij koncepti politik javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur shpjegoi se vendi i tij u sulmua padrejtësisht nga vendet e NATO-s më 1999 dhe iu cungua sovraniteti territorial më 2008.
Serbia jeton në një jetë paralele në të cilën nuk ka ekzistuar gjenocidi në Srebrenicë, dëbimi i një milion qytetarëve të Kosovës, lufta kundër së drejtës për liri të Kroacisë, sundimi i Millosheviqit, mbretëria e krimit të organizuar… Në këtë botë paralele janë përligjur të gjitha, prej të drejtës që BE-ja t’i adaptohet politikës së Serbisë deri te përdorimi i njësive paraushtarake si grupe të ardhshme negociatore.
Për këtë mbase më së paku duhet fajësuar Serbia, ajo ka zhvilluar politikë deri në kufijtë e rezistencës së vendeve të Perëndimit. Ajo rezistencë qe aq e joefektshme gjatë dymbëdhjetë vjetëve të fundit sa tashmë ka prodhuar edhe Banjskën.
Ky mund të jetë momenti kur duhet qartësuar dilemat e Perëndimit. Politika e deritanishme e adaptimit ndaj politikës së Serbisë dhe botës së saj paralele përfundoi të dielën te portat e Manastirit të Banjskës me viktima minimale krahasuar me potencialin. Por, Banjska e ardhshme është e përgatitur në kokat e njerëzve të kësaj bote paralele, dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në BeH e Mal të Zi.
Alternativa është konceptualisht e thjeshtë e megjithatë ende e paprovuar: që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor t’u adaptohen politikave të sigurisë e bashkëpunimit brenda kontekstit NATO-BE. Kush nuk të dojë, mos të dojë.