Publicisti Veton Surroi tha në një intervistë për “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se rreziku i sulmeve terroriste serbe ndaj Kosovës s’ka kaluar.
Sipas tij rreziku vjen si pasojë e mendësisë, që ende Serbia nuk e sheh Kosovën si të barabartë, por të nënshtruar. Për më tepër, Surroi nënvizoi dhe faktin se në këtë pjesë të territorit të Kosovës nuk janë realizuar zgjedhje të lira demokratike.
“Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të dakordojnë për normalizimin e marrëdhënieve sipas marrëveshjes franko-gjermane, për shkak të refuzimit të Serbisë. Rreziku nuk ka kaluar. Këto veprime nuk janë rezultat vetëm i forcave të sigurisë, por janë produkt i mendësisë. Mendësia është e atillë që ende e sheh Kosovën jo si të barabartë me Serbinë, por e sheh si një territor të kontestuar, të nënshtruar dhe ky është një problem shumë i madh. Mos të harrojmë po ashtu se kemi të bëjmë me një pjesë të territorit të Kosovës ku nuk kemi pasur zgjedhje të lira demokratike,” – u shpreh Surroi./f.s