Një ditë pas mbledhjes së Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi, i cili dështoi në arritjen e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë nisur takimet mes palëve për këtë çështje.
Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin i janë drejtuar ambjenteve të Kryesisë së Kuvendit ku po mbajnë një takim me kryetarin e Komisionit të Posaçëm për reformën Fatmir Xhafaj.
Në takim çështje diskutimi është qëndrimi i opozitës e cila një ditë më parë, pati një tërheqje nga debati për mënyrën e voptimit të klrerëve të drejtësisë, 2/3 apo 3/5, por nxori disa pretendime të reja.
Opozita kundërshton së paku 10 pika projektit të reformës, duke rrëzuar thuajse totalisht draftin e përgatitur deri tani nga ekspertët.
Ja 10 pikat që kundërshton PD, që deputeti Eduard Halimi shprehu të hënën në komisionin e reforëms:
Së pari, demokratët nuk janë dakort me ngritjen, ekzistencën dhe përbërjen e Këshillit të Emërimit.
Së dyti, opozita kundërshton skemën institucionale dhe procesin e emërimit të funksionarëve në sistemin e drejtësisë si shumë të komplikuar që nuk kontrollon balancat dhe nuk garanton as pavarësinë.
Së treti, PD kundërshton edhe strukturën e Gjykatësë së Lartë, që ndahet në dy të tilla, ajo për çështjet civile dhe penale dhe tjetra ajo Administrative. Partia Demokratike thotë se struktura e Gjykatës së Lartë nuk u takon ekspertëve, por politikës. Lidhur me këtë institucion, opozita kundërshton edhe emërimin e gjyqtarëve nga jashtë sistemit, që e konsideron si një çështje që mund të shfrytëzohet politikisht.
Së katërti, Partia Demokratike nuk është dakort me ndërprerjen e mandateve për organet kushtetuese.
Së pesti, PD mbështet procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i ashtuquajturi veting, por kundërshton strukturën dhe mohomin e ankimimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Së gjashti, opozita ka rezerva edhe mbi procesin e emërimit dhe funksionet e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ku procesin e zgjedhjes me 3/5 për një mandat 9-vjeçar të Inspektorit të Lartë e politizon këtë institucion dhe e vendos në varësi të maxhorancës.
Së shtati, PD kundërshton përbërjen e Tribunalit Disiplinor. Opozita thotë se pavarësisht se reflekton konstatimet e opinionit të ndërmjetëm, por anëtarët janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe këtë PD e sheh më shumë si mundësi për korporatizimin e sistemit sesa për kapjen e tij politike. Opozita thotë lë shteg për abuzimin.
Së teti, Partia Demokratike nuk është dakort me formulën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Së nënti, PD kundërshton përfshirjen në sistem si prokurorë dhe gjyqtarë të individëve që nuk kanë përfunduar shkollën e Magjistraturës. “Duhet të ketë zero hyrje jashtë Magjistraturës”, thonë demokratët.
Së dhjeti, opozita nuk është dakort me mënyrën e zgjedhjes së pesë anëtarëve të politikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor.