Ish-prokurorja Vahide Badivuku, e cila po gjykohet për marrje të 32 mijë eurove ryshfet për një rast hetimor në vitin 2015, e ka lakuar emrin e kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla, teksa po merrej në pyetje të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Sipas saj, te ky rast ka “gisht” edhe Syla, duke thënë se i ka bërë presion për ndarjen e kësaj lënde. Madje, ajo ka thënë se ka bërë kallëzim penal kundër tij, shkruan “Koha Ditore”.
Në bazë të aktakuzës, e cila është ngritur vitin e kaluar, Badivuku është ngarkuar me dy vepra penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti. Të akuzuar të tjerë janë edhe Idriz Kelmendi, pronar i hotelit “Palace” në Mitrovicë, si dhe Isak Smakolli. Këta të dy akuzohen se në bashkëpunim, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kanë ndikuar në vendimmarrjen e personit zyrtar, përkatësisht në detyrën e ish-prokurores.