Një 41-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Pogradecit, pasi akuzohet se kishte planifikuar vrasjen e 3 personave me të cilët thuhet se kishte konflikt. Në pranga është vënë Lorenc Kuqo.
Policia vendore informon se ‘specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit në kërkim:
-Lorenc Kuqo, 41 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Lartë e ka dënuar me 7 vjet e 3 muaj burgim, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet e 3 muaj.
Ngjarja/Më datë 25.04.2017, 41-vjeçari, pas konflikteve për motive të dobëta me 3 shtetas, kishte planifikuar që ti vriste ata. Ndërhyrja në kohë e Policisë, parandaloi ngjarjen e rëndë, që ishte planifikuar të ndodhte në ambientet e një lokali. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automatik kallashnikov, 1 automjet dhe 1 kapuç (maskë), që i posedonte shtetasi Lorenc Kuqo.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/a.r