Bota ka shkruar e shkruan shumë për Nënë Terezën, këtë personalitet të famshëm të humanizmit bashkëkohor, por libri i parë artistik për të është romani “Qerrja e dritës” i shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu nga Karadaku, që jeton në Prishtinë, shkruan historiani I letërsisë nga Tirana, Sazan goliku.
Ky roman është botuar dy herë në Prishtinë e dy herë në Tiranë dhe është pritur me konsideratë nga lexuesit dhe mendimi kritik.
Me përvojën e pasur si shkrimtar e publicist Ibrahim Kadriu ka mundur të krijojë librin “Qerraja e dritës” si një biografi të letrarizuar, që më saktësisht duhet të quhet roman biografik, sepse në strukturën e librit gjejmë të gërshetuara mjeshtërisht elemente romaneske, po që në asnjë rast nuk e cenojnë vërtetësinë e fakteve e të dhënave të tjera historike që hedhin dritë mbi biografinë e Nënë Terezës, vajzës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu që u bë nëna e botës, “se ajo gjithnjë vazhdon të shërojë dhembjet kudo në botë”.
Autori, me pikësynim të caktuar i ka kushtuar vëmendje të veçantë familjes së Gonxhes, marrëdhënieve të prindërve të saj me bashkëqytetarët, fisnikërinë e altruizmin e të atit Kolë Bojaxhiut e të ëmës, Dranes. Krahas theksimit të kësaj tradite familjare, në libër pasqyrohen edhe idetë atdhetare të kësaj familjeje, të cilat e ndjekin Gonxhen pas në rrugëtimet e shumta nëpër botë në formën e mallit e dashurisë për njerëzit e saj dhe qytetin e vendlindjes, po sidomos me krenarinë e të qenit shqiptare. Autori lë të kuptohet se janë pikërisht atdhedashuria e qëndrimet burrërore të Kolës që çuan në vdekjen e tij tragjike.