Autoriteti i Konkurrencës do të nisë hetimin ndaj sistemit bankar. Shkak është diferenca e lartë në normat e interesit që aplikohen për kredi dhe overdraft kundrejt atyre të depozitave, shkruan Panorama.
Për diferencën e lartë mes normave të interesit të kredive konsumatore, overdrafteve dhe depozitave, Shqipëria renditet e katërta në rajon, duke lënë pas Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, madje dhe Bullgarinë. Të dhënat për fitimet e larta të bankave vijnë pas monitorimit që Autoriteti i Konkurrencës i ka bërë tregut bankar.
Në raportin e 2015, Autoriteti sqaron se monitorimi i tregut u krye pas shqetësimeve të shumta që janë ngritur në media, që bankat aplikojnë norma të larta interesi të kredive dhe norma të ulëta interesi për depozitat.