Vrasja e Valter Fierzës në fshatin Hot të Ri të Shkodrës e ka një autor të dyshuar dhe ai është Klodian Mhilli.
Sipas informacioneve paraprake, shërbimet e policisë po punojnë për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas sherrit për parkimin e makinës dhe autori i dyshuar, Klodian Mihilli mendohet të jetë fqinji i tij.
Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Ka qenë vëllai i Valter Fierzës ai që e gjeti të vdekur jashtë makinës në rrugicën pranë shtëpisë së tyre, e më pas lajmëroi policinë.
Pas vrasjes autori i dyshuar është larguar në drejtim të paditur. Ai është shpallur në kërkim nga autoritetet policore
Njoftimi i policisë:
Policia identifikon dhe shpall në kërkim 24-vjeçarin që dyshohet se qëlloi me kallashnikov, në drejtim të automjetit me drejtues 33-vjeçarin.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë, të dyshuar të përfshirë në konflikt.
Gjenden dhe sekuestrohen një armë zjarri pistoletë që dyshohet se e posedonte 24-vjeçari dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
Si rezultat i punës intensive hetimore, të kryer nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:48, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, u vra me armë zjarri kallashnikov, shtetasi V. F., është bërë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimi i shtetasve të përfshirë në të.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. M., 24 vjeç, A. M., 23 vjeç, P. M., 22 vjeç dhe L. M., 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi E. D., 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta 5 shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e 33-vjeçarit, shtetasin K. F., 35 vjeç.
Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, shtetasi V. F. Sapo ka parë automjetin, shtetasi K. M. dyshohet se ka qëlluar disa herë, me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë, mbeti i vrarë.
Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit K. M.) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast.