Edhe pse në Shtator, deri më tani kemi përjetuar ditë tipike vere me temperatura të larta dhe kthjellime, por duket se kjo fundjavë do të bëjë kthesë përsa i përket kushteve të motit duke bërë që e diela e 24 Shtatorit të jetë një ditë tipike vjeshte.
Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se kjo fundjavë pritet që të sjellë vranësira, ulje temperaturash dhe reshje shiu, të cilat do të jenë prezente në sasi më të mëdha në ditën e dielë.
Ndërkohë dita e shtunë do të na shoqërojë me vranësira të shpeshta, por nuk përjashtohen as kthjellimet që do të jenë prezente kryesisht gjatë orëve të mesditës në Ultësirën Perëndimore.
Hakil Osmani: Sot dhe nesër mbetemi nën ndikimin e vranësirave të shpeshta. Në zonat malore herë pas here do të kemi vranësira apo momente të pakta me pika shiu, por nuk përjashtohen as kthjellimet të cilat do të jenë prezente kryesisht gjatë orëve të mesditës, në Ultësirën Perëndimore do të jenë më të dukshme. Temperaturat e ajrit, sot dhe nesër do të mbeten të larta. Maksimumet priten që në rang territori të jenë rreth vlerës 33 gradë Celsisus në ndonjë zonë të izoluar dhe në 34 gradë Celsius, por mëngjeset do të mbeten të freskëta me maksimumet që në orët e para të mëngjesit do të shkojnë jo më shumë se 12 gradë Celsius në zonat malore. Ndërsa vlerat minimale në qytetet e Ultësirës Perëndimore do të jenë nga 17 deri në 21 gradë Celsius.
Dita e dielë do të sjellë ndryshim të tablosë termike dhe përsa i përket situatës termike pasi presim që vranësirat e dendura që do të gjenerojnë reshje shiu që në orët e para të mëngjesit, duke filluar në zonat veri-perëndimore dhe më pas me kalimin e orëve parashikohet që i gjithë territori shqiptar të jetë nën mbizotërimin e vranësirave dhe reshjeve të shiut herë pas here. Në zona të izoluara do të jenë dhe në formën e rrebesheve. Jo vetëm reshje shiu, por edhe temperaturat e ajrit do të kenë një rënie të ndjeshme të tyre, ku parashikohet që në orët e para të mëngjesit, vlerat minimale në zonat malore të jenë rreth vlerës 10 gradë Celsius , ndërsa maksimumet do të kenë një rënie akoma më të ndjeshme të tyre, ku parashikohet një rënie me 5 apo 5 apo 6 gradë Celsius me maksimumet që do të zbresin rreth vlerës 27 gradë Celsius në rang territori. Dita e dielë do të jetë tipike e vjeshtës.
Por jo vetëm reshje shiu edhe rënie temperaturash, do të kemi prezent dhe perimetrin e erës, duke bërë që të kemi erë me shpejtësi 50 apo 55 kilometra për orë.
/a.r