Ditën e sotme do të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa në rend dite është futur projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Në seancën e sotme priten debate, për shkak të përplasjes mes opozitës.
Gazment Bardhi i ka dërguar një kërkesë kryeparlamentares Lindita Nikolla që të fusë në rendin e ditës propozimin e tij për ndryshimin e përbërjes së Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore. Ndonëse Lulzim Basha e ka shkarkuar, Bardhi teksa e cilëson veten e tij kreun e grupit, kërkon që të largojë si bashkëkryetar të komisionit Enkelejd Alibeajn e Bashës dhe të vendosë Oerd Bylykbashin e Berishës.
“Për një vit e gjashtë muaj, janë zhvilluar vetëm dy mbledhje, duke bllokuar çuarjen përpara të kësaj reforme të rëndësishme për vendin”, thuhet në kërkesë.
Gazmend Bardhi propozon deputetët Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Ervin Saljanji, Lindita Metaliaj, Tomor Alizoti, Fatmir Mediu, Shpetim Idrizi dhe Petrit Vasili.
***
Sot zhvillohet mbledhja e seancës plenare ku do të diskutohen dhe votohen çështje të rendit të ditës.
Sipas procesverbalit të Kuvendit, në rend për t’u votuar janë disa projektligje për fondet e pensionit privat, për shtetësinë, për Gjykatën Kushtetuese, projektvendimi për zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore etj.
Pas miratimit të projektligjeve do të ketë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Kujtojmë se në këtë seancë plenare nuk do të jetë i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm pasi ndodhen në Nju Jork në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
/a.r