Në këtë periudhë vjeshte qyteti i Gjirokastrës dhe rrethinat vazhdojnë të viztohen nga një numër i lartë turistësh, kryesisht të huaj.
Prej fillimit të muajit shtator Gjirokastra ka mirëpritur rreth 17 mijë turistë nga vende të ndryshme të botës, duke e çuar në mbi 350 mijë numrin e vizitorëve vendas dhe të huaj gjatë këtij viti.
Pikat më të preferuara të guidës për turistët ngelen Pazari karakteristik, kalaja dhe shtëpitë muzeale.
“Në Gjirokastër kemi arritur këtë mëngjes nga Greqia. Vizituam fillimisht Greqinë dhe më pas arritëm këtu. Kjo është etapa e parë që po bëjmë, pamë në internet këtë kështjellë dhe jemi të interesuar për ta vizituar”-shprehet turisti.
“Ndalesa e parë e udhëtimit tonë është kjo kala e mrekullueshme dhe madhështore dhe ne erdhëm menjëherë këtu për ta parë. Pasi të përfundojmë shëtitjen në kështjellë do të shikojmë edhe qytetin. Besoj do të vazhdojmë të qëndrojmë për të parë çfarë ofrohet më shumë për të parë”-shton një tjetër turist.
“Unë jam këtu për herë të parë, ju keni male të bukura, vende tërheqëse por duhet shikojmë edhe më shumë për të dhënë një mendim të plotë”-theksoi turistja.
Për muajin shtator strukturat akomoduese, hotelet dhe bujtinat janë të gjitha të prenotuara me rreth 1 700 shtretër, ndërsa për tetorin ky prenotim është në masën rreth 80%
“Në muajin shtator në dijeninë time të gjitha strukturat akomoduese rë paktën pjesa e hoteleve është pothuajse e bllokuar dhe kjo edhe për muajin tetor, deri më tani edhe rezervimet e muajit tetor janë në kapacitete diku të 80 përqind të zëna. Shpresojmë që në këtë valë kaq të madhe që erdhi të kemi bërë më të mirën e mundshme, të kemi dhënë përshtypje të mira tek vizitorët që kaluan për të patur pritshmëri për vitin që vjen”-theksoi Maksim Hoxha, kryetar i Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër.
Në këtë vit Gjirokastra po regjistron numrin më të lartë të vizitorëve vendas dhe të huaj ndërsa turizmi është kthyer në sektorin prioritar të zhvillimit të ekonomisë lokale. /f.s