Shtetet e Bashkuara i dalin në krah të dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Europian, Mirslav Lajçak, pasi kryeministri Albin Kurti e akuzoi se është kundër Kosovës dhe se mban anën e Serbisë.
Departamenti Amerikan i shtetit vlerësoi ato që i quajti përpjekje të palodhura të zyrtarit europian, në bisedimet Prishtinë-Beograd.
“Ne mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, tha zëdhënësi i DASH.
Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore, ndërsa akuzoi ndër të tjera Lajçak për “deformim të procesit”. Në një reagim për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por shprehu zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit dhe paralajmëron se koha po mbaronte.
“Ne presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar te dialogu dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Përkrahjen e Shteteve të Bashkuara, Lajçak e mori edhe gjatë një takimi trepalësh, me të dërguarin e SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe këshilltarin e lartë të DASH, Derek Chollet, në Nju-Jork.
Pas bisedimeve, Lajçak tha se BE dhe SHBA ishin në një linjë sa i përket Ballkanit Perëndimor. Sakaq, Chollet pas një takimi me presidenten Osmani, kërkoi angazhim urgjent në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si hap kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin në BE.
/a.r