Sigurimin e pronës nga tërmeti, zjarret, por dhe dëmtime të tjera në pronë i konsiderojnë të rëndësishme, por shumica e qytetarëve teksa i pyesim shprehen se ende nuk i kanë të siguruara banesat apo edhe apartamentet e tyre ku jetojnë.
Ngjarje të rënda si përfshirja nga flakët e një pallati në Tiranë, i ndërgjegjëson një pjesë të shkojnë të sigurojnë pronën e tyre.
“Do shkoj ta siguroj se është e rrezikshme kur i dëgjon”, tha një qytetar.
Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se primet për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, në 8 muajt e parë të vitit u rritën me 2.56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mirëpo sipas aktorëve të tregut, shqiptarët sigurohen vetëm nëse i detyrojnë bankat apo policat e sigurimit për blerje të ndryshme.
“Vetëm në Tiranë për 2022-2023 ka mbi 700 apartamente të djegura pra ngjarje nga më të ndryshme. Por vullnetarisht të siguruar ka pak. Fakti që vetëm 3% ose 4% ka sigurim shëndeti tregon sa larg jemi ne”, tha Avni Ponari, anëtar i shoqatës së siguruesve.
Për një apartament me vlerë 50 mijë euro, polica e sigurimit kushton 50 euro në vit ose thënë ndryshe sa 0.1% e vlerës së apartamentit.
“Me 50 mijë lekë të vjetra mund të mbrosh apartamenti nga zjarri por dhe nga tërmeti, dhe është një mbrojtje e gjithanshme për çdo familje”, shtoi ai.
Sigurimi nga zjarri apo dëme të tjera në banesa deri në muajin korrik arriti deri në 15 miliardë lekë ose 20.5% më shumë se një vit. Ky sigurim përfshin sigurimin nga zjarret e rëna për shkak të energjisë elektrike, shpërthimeve nga gazi apo dhe rrufeja apo dhe zjarri i ardhur nga fqinji./f.s