Mënyra si është ndërtuar varreza e re nga institucionet e bashkisë së Tricase në Leçe, ka ndezur polemika në vend, pasi ato janë shumë të ngushta për të ndjerët obezë.
Gjasat janë që familjarët e të ndjerëve që janë mbipeshë rrezikojnë të mos gjejnë vend për të varrosur të afërmit e tyre.
Problematika ka ndezur disa polemika, duke filluar nga rasti i një gruaje që kishte kërkuar të varrosej pranë burrit dhe vajzës së saj.
Dëshira e së ndjerës nuk mund të plotësohej sepse vendi i varrimit ishte shumë i ngushtë për të akomoduar trupin. Një situatë e ngjashme me atë të përjetuar nga familjet e tjera në Tricase.
Problemi është strukturor, pasi vendvarrimet e reja janë të parafabrikuara dhe janë afërsisht 75 centimetra të gjera. Gjatësia dhe thellësia janë pothuajse identike me ato të varreve të ndërtuara në vitet ’80 dhe ’90.
Për situatën e krijuar ka reaguar edhe këshilltari për Mjedisin dhe Shërbimet e Varrezave të Tricase-s, Roço Piceci.
“Nuk ka asnjë rast të mos varrosjes së të ndjerëve mbipeshë, varrezat tona kanë varre të disponueshme për të gjithë. Ankesa të këtij lloji në zyrën time nuk kanë mbërritur kurrë”, tha ai për mediat.
/a.r