Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas të cilët po drejtonin mjetin e tyre nën efektin e lëndëve narkotike. Shtetasit e arrestuar, njëri 20-vjeç dhe tjetri 19-vjeç u ndaluan teksa po kryenin manovra të rrezikshme me mjetin e tyre.
Sipas njoftimit të Policisë, shkon në 32 numri i drejtuesve të automjeteve që kanë rezultuar në efektin e drogave, pas testimit me aparatin “AquilaScan”, gjatë këtij viti.
“Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet e dedikuara, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, janë konstatuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin automjetin, në efektin e lëndëve narkotike. Shkon në 32 numri i drejtuesve të automjeteve që kanë rezultuar në efektin e drogave, pas testimit me aparatin “AquilaScan”, gjatë këtij viti”, njofton Policia e Tiranës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor ose drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt, kanë ndaluar për kontroll automjetet me drejtues shtetasit D. S., 20 vjeç dhe A. S., 19 vjeç, pasi janë konstatuar duke kryer manovra të gabuara”, bëhet me dije nga Policia e Tiranës.
“Pas testimit me aparatin “AquilaScan”, rezultoi se të dy këta shtetas e drejtonin automjetin, në efektin e lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve D. S. dhe A. S. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.
/a.r