Ish-kryeministri Sali Berisha ka reflektuar për herë të parë për ndryshimet Kushtetuese të bëra në vitin 2008. I ftuar në A2 CNN, në “Debat” nga Alba Alishani, Berisha tha se është plotësisht gati që të ndryshojë sistemin zgjedhor, duke theksuar se nuk ka asnjë kundërshtim as për të bërë ndryshime në Kushtetutë.
“Jam plotësisht dakord, le të ndryshoj që nesër sistemi zgjedhor. Nuk kam kundërshtime, edhe neni i Kushtetutës. Kur e ka pranuar Edi Rama këtë ka qenë në opozitë dhe dje në mbledhje jam shprehur se jam dakord nëse vendoset për të ndryshuar sistemi zgjedhor, nëse vendoset për të ndryshuar nene të Kushtetutës të vendosura në 2008, le t’i ndryshojmë”, tha Berisha.
Një nga ndryshimet Kushtetuese të 2008 ka qenë plotfuqia që iu dha kryeministrit, pasi askush nuk mund ta shkarkonte. Berisha shprehet se është i gatshëm edhe për ta ndryshuar këtë nen.
“Sa i përket ndryshimeve të neneve për mocionit, unë jam dakord, bashkoj votat me cilin do që dëshiron t’i ndryshojë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, firma e tij mungon në propozimet e bëra nga kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi që synon ndryshimin e sistemit dhe Kodin Zgjedhor. Berisha tha se nuk e ka firmosur për shkak se nuk ia kanë sjellë si dokument, por shton se është i gatshëm për ta ndryshuar.
/a.r