Teksa qeveria shqiptare është përfshirë në një proces negociatash shumë vjeçare për rishikimin e kontratës së koncesionit të Aeroportit të Rinasit, Autoriteti i Konkurrencës (AK) i ka rekomanduar qeverisë të mos marrë në konsideratë opsionin për zgjatjen e afateve të kontratës.
Në raportin vjetor për 2015 që AK ka dorëzuar tashmë në Kuvend raportohet se me anë të vendimit të datës 24 dhjetor 2015 “Për disa rekomandime në lidhje me draft-amendamentin e Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur më datë 15 Tetor 2004 ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Tirana internacional Aeroport SHPK”, ka rekomanduar mos zgjatjen e afatit të ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncesionari për rishikimin e marrëveshjes.
Autoriteti i ka rekomanduar gjithashtu liberalizimin e shërbimeve (ground handling) sipas anekseve të kontratës koncesionare, rishikimin e pagesës së shërbimit në tokë dhe e uljes dhe e ngritjes.
Gjithashtu Autoriteti ka kërkuar rishikimin e pagesës për pasagjerët, të Kargos, pagesës së Parkimit të Avionëve dhe rishikimin e pagesës së ndriçimit të aerodromit.
Nëpërmjet këtij vendimi është kërkuar edhe zbatimi i vendimit të 50 Komisionit të Konkurrencës nr. 308, datë 21.02.2014 “Për disa rekomandime për rritjen e konkurrencës në tregun e shërbimit të transportit ajror”, në mënyrë të veçantë: “Për shkak të pozicionit të kompanisë koncesionare si i vetmi ofrues i shërbimeve ndërkombëtare të transportit të pasagjerëve, OSHA të hartojë dhe aprovojë një metodologji/rregullore për vendosjen e tarifave të aeroportit, si edhe tarifat të jenë të orientuara drejt kostos”.
Pak ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i kompanisë Tirana international Airport (TIA), Z. Rolf Castro-Vasquez ka pohuar për Monitor.al se nuk kanë nënshkruar ende asnjë marrëveshje me qeverinë shqiptare për ndryshimin e kontratës koncesionare për Aeroportin e Rinasit.
Ai pohon se janë ende në negociata në qeverinë shqiptare dhe po shqyrtohen pikat e fundit nga ana e avokateve në Londër. Z. Rolf Castro-Vasquez pohoi se nuk mund të thotë nje afat se kur do të bien dakord, nëse kjo do të jetë shpejt apo vonë në kohë.
Ai shton se e rëndësishme është se çfarë do vendosin aksionarët dhe kreditoret që janë tre, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), Intesa Sanpaolo dhe Alpha, sepse janë ata që kanë investuar. Sidomos kreditorë janë shumë “të rreptë”.
“Kemi që nga 2007 që po negociojmë, u ndryshua qeveria, filluam sërish, nuk është e lehtë të ndryshohet një kontratë pas 10 vitesh. Nuk di të jap një afat, por di te them që për momentin nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë”, thotë z. Castro-Vasquez. Ai shton se të gjitha negociatat po i zhvillojnë me ministrin e transporteve, z.Edmond Haxhinasto.
Ministri Arben Ahmetaj tha me herët gjatë shkurtit se është mbyllur negociata me sukses për heqjen e eskluzivitetit të aeroportit për një rreze deri në 100 kilometra. Duke sqaruar ecurinë e koncesionit në Aeroportin Nënë Tereza në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Ministri tha se, tashmë priten oferta për zhvillimin e aeroporteve të tjera për fluturimet ndërkombëtare ndërsa shtoi se dosja është dorëzuar te bordi i koncesionarit.
Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash. Monitor.