Kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale ka ndarë tre ngjarje të rëndësishme që vendi po përjeton. Ai thekson se Shqipëria pritet që të marrë drejtimin e Këshillit të Sigurimit, i cili sipas Ramës është një moment historik. Rama nënvizon se ky hap tregon shumë për ngjitjen e shtetit tonë në një nivel të ri.
“Javën e ardhshme Shqipëria do të drejtojë Këshillin e Sigurimit, bash në momentin kur e gjithë bota mblidhet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Neë York. Ky është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, i cili thotë shumë për ngjitjen e shtetit tonë në një nivel të ri. Ka shumë arsye për të qenë krenarë me Shqipërinë sot, po shumica e tyre janë shumë më tepër motive për të kuptuar se sa shumë mund të bëjë ende Shqipëria dhe për të ecur vendosmërisht drejt majës së re ku duhet me se s’bën të ngjitemi si vend e si popull, e në asnjë mënyrë shkaqe për vetëkënaqësi”, shkruan Rama.
Lidhur me këtë detyrë të Shqipërisë në rang ndërkombëtar, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është nisur drejt Nju Jorkut, ku do të marrë pjesë në takimet e nivelit të lartë në kuadër të Presidencës Shqiptare të Këshillit të Sigurimit dhe Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Kryeministri Rama ka theksuar vazhdimisht se Shqipëria po lartësohet në sytë e botës dhe çdo ditë e më shumë asaj po i besohen poste të rëndësishme./f.s