Një 31-vjeçar është vënë në pranga e policisë në Lezhë, pasi i dha një të mituri hashash dhe videon e postoi në Tik Tok. Në pranga ka rënë Gëzim Avdi (Kalia).
I dha për të pirë një të mituri, cigare me lëndë narkotike kanabis, e filmoi dhe e postoi videon në rrjetin social Tik Tok, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, menjëherë pas publikimit të një videoje, në rrjetin social Tik Tok, në të cilën shfaqej një shtetas duke i dhënë për të pirë një të mituri, cigare me lëndë të dyshuar narkotike, kanë nisur verifikimet për identifikimin e shtetasit që shfaqej në video.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi i shtetasit G. A.( K.), 31 vjeç, banues në Patok, Kurbin.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialisët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë 31-vjeçarin, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me të miturit apo me nxënësit dhe cilindo që tenton të nxisë fëmijët për të përdorur lëndë narkotike apo për t’i përfshirë në vepra të tjera penale, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.